Megjithëse zgjedhjet e vitit 2021 janë gati 2 vite larg, kryetari i PS-së, Rama ka bërë ndryshime rrënjësore në kupolën drejtuese të partisë në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për fushatën e ardhshme zgjedhore.
Gjatë mbledhjes së të martës së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama ndryshoi koordinatorët drejtues nëpër qarqe të ndryshme të vendit ndërsa i vuri një kusht deputetëve për të qenë sërish në lista. Rama kërkoi prej tyre që të zbresin me këmbë në tokë dhe të takojnë çdo qytetar të zonës së tyre. Nëse duan të jenë sërish deputetë, të gjithë pa përjashtim duhet të japin rezultate konkrete.
Ndërsa nga drejtuesit e qarqeve largoi Ditmir Bushatin, Lindita Nikollën dhe Blerina Gjylamentin. Por ndërsa Nikollën dhe Gjylametin u ngarkoi detyra të reja, duket sikur Bushatin e la në hije, megjithëse ish ministri nuk shfaqi shqetësim për këtë vendim.
Kështu në Shkodër në vendin e Ditmir Bushatit vendoset kryebashkiaku i ri Valdrin Pjetri, në Lezhë shkon ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në vendin e Lindita Nikollës, ndërsa në Tiranë largohet Blerina Gjylameti për t’i lënë vendin dyshes drejtuese Elisa Spiropali-Ervin Bushati. Lëvizjet prekën edhe sekretariatet e partisë, teksa risi është ministri i jashtëm Gent Cakaj te rinia.
Ndryshimet në tre qarqe, por edhe brenda sekretariateve, Rama i argumentoi për të pasur më shumë rezultat në të ardhmen.
Rama njoftoi se në shtator do të nisin zgjedhjet në parti dhe në Janar të 2020 do të mbahet kongresi, ndaj ai kërkoi nga strukturat hapjen e partisë, ndërsa i paralajmëroi deputetët dhe kryebashkiakët që nëse nuk do të zbresin me këmbë në tokë në bazë për të takuar njerëzit do të përjashtohen nga projekti politik i zgjedhjeve të 2021.
“Së pari kemi menduar të kemi një sekretar që të koordinojë punën e këtyre këshillave dhe rezultatet që dalin dhe nevoja për t’u adresuar nga qeveria apo institucionet e tjera. Për këtë ngarkojmë Ilir Beqjan që të bëjë këtë punë. Sekretare e Burimeve Njerëzor do të jetë Nikolla. Ne vazhdojmë me regjistra të vdekur që mirë që janë me boshllëqe, por nuk i shërbejnë askujt. Këtë detyrë do ia ngarkojë Lindita Nikollit, i bindur që do të bëjë më të mirë. Ka qenë një çështje shqetësuese e Partisë Online.
Duke qenë i pari politikan që kam bërë “ciu-ciu” më takon që të ndjehem i shqetësuar që jemi shumë larg asaj që duhet të bëjmë dhe prandaj për këtë besoj që Blerina është njeriu i duhur që eksperiencën e koordinimit ta vë në dispozicion në një organizim dixhital të partisë.
Në kushtet kur Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati do marrë drejtimin e Tiranës, drejtimin e Rinisë Gent Cakës dhe nëse nuk kam harruar ndonjë, pjesa tjetër e sekretariatit do të mbetet siç është, vetëm kur organizimi do të bëhet edhe nga Arbeni”, deklaroi Rama në Asamble.
Ndryshimet në kupolën drejtuese të PS-së
Valdrin Pjetri-koordinator për qarkun e Shkodrës në vendin e Ditmir Bushatit
Sandër Lleshaj-koordinator për qarkun e Lezhës në vendin e Lindita Nikollës
Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati-koordinator në Tiranë në vendin e Blerina Gjylametit
Gent Cakaj do të marrë sekretariatin për Rininë
Blerina Gjylamenti kalon te sekretariati për dixhitalizimin
Arben Pëllumbi-sekretar për koordinimin dhe organizimin
Lindita Nikolla-sekretare për burime njerëzore në PS
Ilir Beqja-sekretar per koordinimin e punes se keshillave