Karburantet do i ushtrohen kontrolleve jo vetëm për deklarimet tatimore, por edhe për cilësinë e hidrokarbureve që tregtojnë. Mungesa e cilësisë së karburantit ka qenë një nga pikat kyçe që qytetarët e kanë renditur si ndër problematikat kryesore duke u shqyrtuar me seriozitet edhe nga qeveria.
Gjatë inspektimeve në zonën e Vorës, Ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj tha se gjatë muajit gusht do të ketë një kontroll të rreptë jo vetëm për evazionin fiskal por dhe cilësisë së karburantit që tregtojnë. Ky kontroll tha Denja do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë duke nisur nga tregtarët e mëdhenj deri tek të vegjlit.
“Kërkesa ime është që, ne këtë treg duhet të kontrollojmë të gjithë. Sigurisht duhet të fillojmë nga tregtarët, të cilët kanë sasitë më të mëdha që qarkullojnë në treg e deri te më të vegjlit, por për të garantuar cilësinë e karburantit ne nuk mund të shkojmë vetëm te një grup. Duhet të shkojmë te të gjithë dhe për këtë, Plani Operacional i gushtit është totalisht i fokusuar në këtë sektor, për të siguruar dhe cilësinë e karburantit që tregtohet në treg dhe realizimin e të ardhurave në mënyrë proporcionale me atë që duhet të ndodhë në realitet dhe jo në atë që faktikisht ndodh sot. “ tha Denaj