Informaliteti i hidrokarbureve, Denaj: 420 subjekte me risk, do monitorohen

AKTUALITET


Plani Operacional për luftën kundër informalitetit në ekonomi, do të fokusohet edhe te bizneset që tregtojnë me pakicë lëndë djegëse dhe hidrokarbure. Gjatë të hënës, Minitrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka zhvilluar një inspektim gjatë aksit rrugor Fier-Tiranë, ku është ndaluar në disa pika të tregtimit të karburantit. Gjatë këtij inspektimi të ministres, është kapur në shkelje një biznes, i cili operonte me rigjim manual të tregtimit të karburantit.

Për këtë arsye ndaj këtij biznesi janë marrë masa ligjore. Ndërkohë, pas këtij rasti, Anila Denaj është shprehur se janë 420 subjekte të evidentuara me risk në fushën e karburanteve dhe të produkteve të akcizës, të cilat do të monitorohen dhe verifikohen nga të gjitha strukturat përkatëse.


“Dëshiroj të theksoj se jemi këtu për t’i ardhur në ndihmë konsumatorit. Ne, së bashku me Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial,  Doganën dhe Hetimin Tatimor, do të kemi në fokus të punës sonë cilësinë e karburantit, markimin e tij, pajisjen me kasa fiskale, si dhe evidentimin e rasteve të përdorimit të regjimit manual”, tha ministrja Denaj.

“Gjatë kësaj jave, në fokus do të jenë pikat e karburantit dhe tregtimi i produkteve të tjera të akcizës, si pjesë e planit të hartuar.  Grupet në terren, së bashku me koncesionarin e markimit të karburanteve, po ushtrojnë kontrolle që kanë si subjekt verifikimin, nëse pikat e karburanteve janë të fiskalizuara ose jo. Pra, merren mostra si në pompë, ashtu edhe në depozitë, për të parë nëse për këtë produkt janë paguar të gjitha detyrimet ndaj shtetit”, tha Arlind Gjokutaj, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave.




Skip to toolbar