Dështon PD për bllokimin e bashkive, Kukësi dorëzohet paqësisht

AKTUALITET


Megjithëse lidershipi i PD-së, porositi kryebashkiakët e djathtë, përmes një dokumenti të publikuar nga realstory.al, për të bllokuar zyrat; një nga një bashkitë po lirohen në mënyrë paqësore. Urdhri i shpërndarë nga Basha, i cili vetëm disa ditë me herët bënte thirrje për dhunë nga Devolli, nuk po gjen zbatim as nga kryebashkiakët e tij, të cilët mbetën në rrugë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ku PD vendosi të mos merrte pjesë.

Pas Përmetit që u dorëzua të enjten, paqësisht është dorëzuar të premten edhe bashkia e Kukësit. Qyteti verior njihet si një nga bastionet e PD-së, vendos të mos ndjekë udhëzimet e lidershipit të partisë.

Kreu i ri i Bashkisë së Kukësit, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Safet Gjiçi ka hyrë qetësisht në zyrë.

Në një dalje për mediat,  koordinatori i PD për qarkun e Kukësit Kreshnik Çollaku tha se ky ishte një vendim nga strukturat për të shmangur një përplasje të përgjakshme.

“Një kukëll e Edi Ramës, me presion të qytetarëve po përpiqet që të instalohen në zyra. Falenderoj drejtuesit e PD dhe qytetarët që shmangën një skenar të dhunshëm. Këto forca policie kanë pasur një qëllim që si dhuratë të shkaktonin konflikt civil dhe viktima. PD e shohin pushtetin jo si një qëllim, por si një mision për t’u shërbyer qytetarëve. Gjici mandat jo legjitim, antikushtetues. Asgjë e vjedhur nuk do ta gëzoni. Këtë do i them Ramës dhe Safet Gjicit”, tha Çollaku

Në fakt kjo deklaratë e Çollakut bie në kundërshtim me qëndrimin e Bashës vetëm dy ditë më parë në Devoll, ku bëri thirrje për dhunë dhe për mbrojtje me çdo mjet e formë bashkitë e djathta.

Ky ishte skenari që Basha e kishte shkruar fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Realstory publikoi pak ditë më herët një dokument të hartuar nga kryesia e PD-së më 2 korrik dhe ku bëhej thirrje që të mbroheshin me çdo kusht bashkitë e djathta.

Por duket se ky skenar nuk gjeti mbështetje nga vetë demokratët. Përveç Devollit dhe Kavajës, bashkitë e tjera po i lirojnë zyrat në mënyrë paqësore. Madje dhe në Devoll e Kavajë qëndresa e demokratëve nuk ka zgjatur më shumë se 8 orë, aq sa është orari zyrtar i punës. Pak zhurmë u bë të premten në Mat, ku Basha kishte dërguar si përforcim ish deputetin Alibeaj. Ndërsa Bashkia e Kukësit u dorëzua pa zë. Tani Bashës i mbetet vetëm Voltana, si qëndrestarja më e spikatur e protestave me molotov të PD-së./Realstory.al



Skip to toolbar