Denaj paralajmëron ndryshime në ligjin e tatimeve, apel bizneseve: Nuk shpëtoni me marifete

AKTUALITET


Bizneset nuk do t’u shpëtojnë ndëshkimeve nëse u shmangen detyrimeve tatimore.

Ministrja e Financave, Anila Denaj paralajmëroi të hënën se do të ketë ndryshime në Kodin e procedurave Tatimore, në mënyrë që asnjë subjekt të mos i shpëtojë masave ndëshkuese.

Në kuadër të aksionit anti-informalitet, ministrja ka deklaruar se ndryshimet në Kod do të synojnë që të parandalojnë subjektet që t’i shpëtojnë masave ndëshkuese me anë të vendimeve të gjykatave, apo të “marifeteve” të tjera, siç i quajti ministrja.

Gjithashtu ajo u ndal edhe te platforma “Booking”, ndërsa u shpreh se janë në komunikim me të, në mënyrë që bizneset e regjistruara të mos shpëtojnë nga pagesa e tatimeve.

“Në hoteleri turizëm janë inspektuar 2000 subjekte, ku në 1400 subjekte 38% prej tyre kanë pasur probleme në sigurimin e punonjësve. ‘Booking’ nuk kanë përfaqësues për të formalizuar procedurat e deklarimeve të subjekteve në Shqipëri. Ka raste që subjektet mund t’i kenë shpëtuar masave ndëshkuese, me vendim gjykate ose ‘marifete të tjera’ duke na bërë që të marrim masa në ndryshimin e kodin e procedurave tatimore”, tha Denaj.

Përsa u përket kontrollit në pikat e karburanteve Denaj tha se “janë kontrolluar 231 pika të karburanteve. Në 1200 subjekte do vendosen plumbçet në të gjitha njësitë”.

Ndërsa për cigaret dhe pijet alkoolike, ministrja tha se veç faturave tatimore, njëherësh inspektimet po bëhen edhe për ndalimin e cigareve në ambientet e mbyllura, për të cilat ministrja tha se nuk do të ketë asnjë tolerancë.



Skip to toolbar