Punonte shofer, kapet duke hipur në traget i kërkuari për trafik kokaine

AKTUALITET


Antimafia Italiane ka mundur të arrestojë një nga 3 shqiptarët e shpallur në kërkim pas ekzekutimit më 19 korrik të operacionit të koduar “Tunel”, i cili çoi në shkatërrimin e një grupi trafikantësh shqiptarë që transportonin kokainë e marijuanë nga Shqipëria në Sicili të Italisë.

I arrestuari është Klaidi Kaca, 30 vjeç. Ai u kap në portin e Brindizit ndërsa po nisej me një traget linje drejt Shqipërisë. Ai drejtonte një automjet për transportin e pasagjerëve.


Me urdhër të prokurorisë së Mesinës, ndaj Klaidi Kacës rëndon akuza e trafikut të drogës, pjesëmarje në aktivitet kriminal e armëmbajtje pa leje.

Operacioni “Tunel” nisi hetimet në maj të viti 2017. Përgjimet ambientale e telefonike kanë zbardhur se për llogari të këtij grupi të strukturuar kriminal trafikoheshin nga Ballkani, sasi të konsiderueshme droge e tipit kokainë e marijuanë. Lënda narkotike pas mbërritjes në Itali magazinohej në Messina e tregtohej në të gjitha zonat turistike të provincës siciliane.

Për llogari të këtij grupimi kriminal, në shtator të 2017 antimafia italiane sekuestroi rreth 42 kg marijuanë e fshehur në galerinë hekurudhore “Spadalara”.

Në dhjetor të 2017 këtij grupi trafikantësh iu sekuestruan dhe dy sasi të tjera marijuanë me peshë 22 kg e 10 kg që po transportoheshin në bordin e automjeteve.

Antimafia italiane informon se ka shpallur në kërkim 3 shqiptarë, anëtarë të këtij grupimi trafikantësh. Më 19 korrik policia arrestoi 12 persona, shqiptarë dhe italianë. Emrat e të arrestuarve janë Ajet Cepaj, Francesco Delia, Francesco Di Giovanni, Santino Di Pietro, Antonino Ieni, Francesco Maggio, Rito Mecaj, Salvatore Micari, Domenico Pappalardo, Cristian Restuccia, Andrea Caporlingua, Ernard Hoxha dhe Mizafer Binaj.




Skip to toolbar