Gjykata e Elbasanit ka lënë të lirë drejtorin e burgut të Kosovës Judmir Shurdhi, i cili më 30 korrik liroi para kohe të tmerrshmin e Beratit, Lulzim Caka. Organi i drejtësisë vendosi që hetimet ndaj Shurdhit dhe ish vartësit të tij kartelistit Llazar Mino të vazhdojnë, por në gjendje të lirë.
Arrestimi i funksionarit të lartë të burgjeve u bë i ditur nga ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj me datë 30 korrik, por që tashmë është rrëzuar nga Gjykata e Elbasanit.
Shurdhi dhe Mino u arrestuan pasi sipas hetimit administrativ të shërbimit dhe kontrollit të brendshëm në burgje kishin firmosur për të liruar nga qelia 40 ditë para se të mbaronte dënimin, Lulzim Cakën personin e dënuar për vrasje e krime makabre në vitin 1997.
Prej 30 korrikut në kërkim u shpall dhe i liruari Lulzim Caka për të cilin Policia e Shtetit prej asaj dite nuk ka dhënë asnjë njoftim se ku po e kërkon dhe se si mundi ai të arratisej sapo doli nga burgu. Caka do mbahet mend për sfidat ndaj drejtësisë, pasi u arrestua dhe u la i lirë disa herë për mungesë provash. Lulzim Caka ka një rekord ngjarjesh të frikshme. Ai arriti në majat e botës së krimit gjatë viteve ‘90, pasi kishte lidhje me një tjetër personazh të botës së errët të krimit në vend, Loshin e Karbunarës dhe bandat e Beratit. Kundërshtarët kryesor të Lulzim Cakajt ishin banorë të fshatit Samaticë, përkatësisht nga fisi Cami, Bega, Cala dhe Yzeiri. Caka u akuzua për vrasjen e arkëtarit të Kutallisë, ndërsa më pas emri i tij nisi të frikësonte këndo që udhëtonte në rrugët e fshatrave midis Beratit dhe Fierit në vitin 2001, pasi Lulzim Caka dhe banda e tij, ngrinin postblloqe dhe sulmonin automjetet.