Nga Mero Baze
Valdrin Pjetri është leksion i fundit i hidhur i gjithë atyre që nuk e kanë kuptuar se ligji i dekriminalizmit është bërë për t`i mbajtur larg politikës, të gjithë ata që përpiqen të fshehin të shkuarën e tyre. para tij e kanë pësuar disa kryetarë bashkish dhe deputetë të Parlamentit, dhe për një njeri normal, kjo do të mjaftonte që për një gjë dhe shumë të lehtë se kjo e Valdrinit, t`i qëndronte larg politikës.
Një njeri që është dënuar 20 vjet më parë, ka gjithë të drejtat të jetë qytetar i lire, por ligji ja ka ndaluar të jetë pjesë e politikës. Dhe në këtë pikë, Valdrin Pjetri ngre dyshime serioze, jo vetëm si njeri politik, por dhe për intelektin e tij si qytetar. Poshtërimi i tij publik sot, më shumë se sa një tore e opozitës, është një problem i tij personal, të cilin do ta kishte shmangur, sikur të shikonte punët e veta e të mos merrej me politikë. Është një ndëshkim dhe për inteligjencën e tij të pretenduar. Por meqë guxoi kaq shumë, duhet dhe ta pësojë kaq keq. Në një farë mënyre, fati i tij sot, është një leksion për të gjithë ata që ende besojnë se mund të mbijetojnë në këtë sitë të hollë që politika i ka vënë vetes me ligj.
Demonizimi i elementëve kriminalë në politikë, është një tore e reformës në drejtësi, që po jep frytet e veta edhe në shoqëri. Reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit, është një lajm i mirë, që tregon se ai është i pari që e ndjen peshën e përgjegjësisë, për infiltrimin e elementëve të tillë, qoftë dhe ilegalisht në sistem. Por nga ana tjetër, është një leksion për të, për të kuptuar se distanca me elementë të tillë, nuk duhet të jetë vetëm nga letrat, por dhe nga mjedisi nga vijnë dhe nga nuhatja se kush i mbështet.
Rezultati i Valdrin Pjetrit në Shkodër, i identifikuar dhe nga vetë PS, si i mbështetuar nga aleatë “të fortë” të PS në atë qark, rrëzoi në mënyrë drastike rezultatin e Partisë Socialiste në atë qytet. Pjetri ka marrë rezultatin më të ulët historik të PS në qytetin e Shkodrës, duke marrë më pak se gjysmat e votave të Keti Bazhdarit katër vjet më parë, që garoi kundër vullnetit të “të fortëve” të shkodrës. Kjo tregon se shoqëria është më e përgatitur se politikanët tanë, për të nuhatur kush është i sponsorizuar nga të fortët dhe kush është përballë tyre. dhe pjesë e kësaj shoqërie është dhe PS e Shkodrës, që duket se e ka pasur nuhatje këtë. Përveç Valdrinit.
Nga ana tjetër, reagimi i fortë i Edi Ramës, që thotë se nuk do të falte as vëllain e tij, në raste të tilla, ka bërë entuziast Sali Berishën, i cili e quan fundin e botës, që Rama mund të dorëzojë dhe vëllain, nëse bën gjëra të tilla. Se ai me mendjen e tij e quan sukses që nuk e dorëzoi djalin kur vrau në Gërdec, as vajzën kur u kap si seksere e tre milionë eurove. Ai në vend të tyre vrau shtetin dhe tani çuditet se si shteti ndahet nga krimi.