Ish-trajneri Argjentinës, Sampaoli: Messi vuan në Kombëtare!

Më të fundit


Lionel Messi është lojtari më i mirë argjentinas i të gjitha kohërave, dhe pse jo më i miri në botë i brezit të tij së bashku me portugezin Cristiano Ronaldo. Megjithatë, nëse ky i fundit ka fituar një trofe të rëndësishëm me Kombëtaren, Messi ende nuk ka ngritur lart një trofe me fanellën e Argjentinës.

“Pleshti” ka dështuar në çdo kompeticion madhor që ka luajtur si futbollist i kombëtares argjentinase, pavarësisht se ka shënuar 56 gola në 129 ndeshje. Këto nuk kanë mjaftuar, ndërsa Messi ndihet keq për këtë gjë.

Ish-trajneri që udhëhoqi Argjentinën në botërorim e Rusisë, Jorge Sampaoli, ka folur në një konferencê të organizuar nga Federata Braziliane e Futbollit, ku ndër të tjera është shprehur se Messi vuan shumë kur luan me kombëtaren

“Pata fatin të stërvis lojtarin më të mirë në botë. Nuk e di nëse ai është më i miri në histori, por tani ka më shumë se 600 gola në Europë, i ka thyer të gjitha rekordet. Megjithatë, ndryshe nga pjesa tjetër e botës, në vendin e tij është kritikuar”

“Ai është një qenie njerëzore. Argjentinasit përpiqen të kënaqen me Messin, ndërsa tifozët e Barcelonës e kënaqin atë. Messi vuan shumë nga ajo që ka kaluar në kombëtare, vuan shumë nga realiteti. Ai nuk mund t’i tregojë botës gjithçka që është, kur luan për Argjentinën. Pastaj, shoqëria argjentinase gëzohet për shkatërrimin e gjërave shumë më tepër se në rast suksesesh”.

Duke folur për dështimin e Argjentinës në “Rusia 2018”, Sampaoli nënvizoi: “Të jesh trajner i një kombëtareje të Amerikës së Jugut është pothuajse e pamundur, sepse lojtarët më të mirë tanët luajnë në Europë. Ne i kemi ata vetëm për pak kohë në dispozicion, jo mjaftueshëm për t’u injektuar vlerat që duam dhe filozofinë tonë të të luajturit”.



Skip to toolbar