Suli çon në prokurori Mziun: Dha leje ndërtimi në zonën “Park Kombëtar”

AKTUALITET


Një javë pasi mori drejtimin e bashkisë së  Kamzës, Rakip Suli ka deklaruar se do të dërgojë në prokurori paraardhësin e tij, Xhelal Mziu. Shkak, sipas Rakip Sulit, është fakti se Mziu ka dhënë leje ndërtimi në një zonë e cila është planifikuar të bëhet Park Kombëtar. Gjatë një dalje për mediat të enjten pasdite, nga bregu i lumit të Tiranës, Rakip Suli ka sqaruar, sipas tij, shkeljet ligjore që ka bërë Xhelal Mziu.

“Kamza tani ka një mori problemesh, por do ti rendisim sipas problematikave dhe nga ato më emergjentet. Ish-kryebashkiaku ka dhënë një leje ndërtimi me datë 29.07.2019. Në bazë të një vendimi të nxjerrë në vitin 2013, e gjithë kjo pjesë është planifikuar për Park Kombëtar. Është menduar që kjo zonë të ishte një Park Kombëtar. Dhe mendohet se edhe bulevardi kryesor i Tiranës do të vijë këtu ku jemi. Është dhënë kjo leje ndërtimi, brenda këtij territori duke shkelur të gjitha ligjet. Ky është një vendim kriminal i miratuar me datë 29.07. 2019. Qytetarëve nuk u bëhet legalizimi dhe nga ana tjetër këto japim leje. Madje kjo është një pjesë me ujë. Jemi duke dhënë leje ndërtimi në shtratin e liqenit. Brenda muajit është marrë leja e ndërtimit. Këtu mendohet do të bëhet një park për të gjithë qytetarët e Kamzës. Do të ngrihet padi për këtë çështje dhe për të gjithë personat përgjegjës”, tha Suli.

Ai ka folur edhe për ndryshimet në administratë, duke u shprehur se nuk do të ketë largime të profesionistëve nga puna.  “Nuk më ka vajtur mendja për largim. Nga stafi im do të jenë njerëz profesionistë. Kjo nuk ka për të ndodhur, çdo person që ka qenë i përgjegjëshëm dhe ka arsimin përkatës do të vijojë rrugëtimin me Rakip Sulin”, deklaroi ai Rakip Suli mori detyrën rreth një javë më parë. Kjo Bashki drejtohet pas 12 vitesh nga socialistët, pasi në krye të saj ka qëndruar Xhelal Mziu.



Skip to toolbar