Suli çon në prokurori Mziun: Dha leje ndërtimi në zonën “Park Kombëtar”

Një javë pasi mori drejtimin e bashkisë së  Kamzës, Rakip Suli ka deklaruar se do të dërgojë në prokurori paraardhësin e tij, Xhelal Mziu. Shkak, sipas Rakip Sulit, është fakti se Mziu ka dhënë leje ndërtimi në një zonë e cila është planifikuar të bëhet Park Kombëtar. Gjatë një dalje për mediat të enjten pasdite, nga bregu i lumit të Tiranës, Rakip Suli ka sqaruar, sipas tij, shkeljet ligjore që ka bërë Xhelal Mziu.

“Kamza tani ka një mori problemesh, por do ti rendisim sipas problematikave dhe nga ato më emergjentet. Ish-kryebashkiaku ka dhënë një leje ndërtimi me datë 29.07.2019. Në bazë të një vendimi të nxjerrë në vitin 2013, e gjithë kjo pjesë është planifikuar për Park Kombëtar. Është menduar që kjo zonë të ishte një Park Kombëtar. Dhe mendohet se edhe bulevardi kryesor i Tiranës do të vijë këtu ku jemi. Është dhënë kjo leje ndërtimi, brenda këtij territori duke shkelur të gjitha ligjet. Ky është një vendim kriminal i miratuar me datë 29.07. 2019. Qytetarëve nuk u bëhet legalizimi dhe nga ana tjetër këto japim leje. Madje kjo është një pjesë me ujë. Jemi duke dhënë leje ndërtimi në shtratin e liqenit. Brenda muajit është marrë leja e ndërtimit. Këtu mendohet do të bëhet një park për të gjithë qytetarët e Kamzës. Do të ngrihet padi për këtë çështje dhe për të gjithë personat përgjegjës”, tha Suli.

Ai ka folur edhe për ndryshimet në administratë, duke u shprehur se nuk do të ketë largime të profesionistëve nga puna.  “Nuk më ka vajtur mendja për largim. Nga stafi im do të jenë njerëz profesionistë. Kjo nuk ka për të ndodhur, çdo person që ka qenë i përgjegjëshëm dhe ka arsimin përkatës do të vijojë rrugëtimin me Rakip Sulin”, deklaroi ai Rakip Suli mori detyrën rreth një javë më parë. Kjo Bashki drejtohet pas 12 vitesh nga socialistët, pasi në krye të saj ka qëndruar Xhelal Mziu.

Klevis Balliu, zyrtarisht ish deputet. Policët e trajtojnë thjesht si protestues

Vazhdon të ketë tension mes banorëve dhe policisë në zonën e Bregut të Lumit ku fadromat kanë nisur shembjen e banesave për të hapur rrugën ndërtimit të bulevardit të ri të Tiranës. Në mbështetje të banorëve kanë shkuar ish deputetët e opozitës.

Në fotot e mëposhtme siç e shikoni, duket ish deputeti i PD-së Klevis Balliu i cili është përplasur me efektivët e policisë duke kundërshtuar shembjen e banesave të banorëve të kësaj zone. Nëse nuk do ta dinim që ka qenë deputet, Balliu në këto foto do na duket si një protestues i thjeshtë.

Në fakt, banesat e kësaj zone janë përjashtuar nga procesi i legalizimit. Sipas planit parashikohen të shemben 38 banesa, dhe Bashkia e Tiranës ka ofruar strehim social për banorët e kësaj zone.

Foto – Galeri

Sërish tension te Bregu i Lumit, banorët përplasen me policinë

Mediat televizive dhe Partia Demokratike njofton se kanë nisur sërish përplasjet tek Bregu i Lumit, mes banorëve të zonës dhe policisë.

Fadromat kanë nisur të shembin shtëpitë në mënyrë që të hapet rruga për zgjatimin e mëtejshëm të bulevardit të ri të Tiranës. Por banorët e zonës janë ngritur në protestë duke kundërshtuar shembjen e shtëpive.

Madje PD njofton se forca të shumta të policisë i kanë konfiskuar banorëve telefonat me të cilët filmonin ngjarjen.

Për të ndërtuar bulevardin do të shemben 38 banesa, por Bashkia e Tiranës ka siguruar strehim social për këto familje.

Basha: Policia dhunoi qytetarët te Bregu i Lumit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar policinë se ka dhunuar banorët e zonës së Bregut të Lumit në Tiranë, të cilët protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre dhe kundër zgjatimit të Bulevardit të ri të Tiranës.

Përmes një mesazhi në facebook, Basha akuzon qeverinë se ka tradhtuar njerëzit e thjeshtë duke sulmuar me gaz shtëpitë e tyre. Ai bën thirrje për rrëzimin e këtij regjimi, siç shkruan ai.

“Dhunë, gaz dhe terror nga policia kundër qytetarëve në shtëpitë e tyre! Kjo qeveri i ka tradhëtuar njerëzit e thjeshtë dhe Shqipëria është në mjerim ekonomik, me padrejtësi dhe pasiguri në çdo cep të saj.

Te gjithë ata që urdhëruan, dhunuan dhe sulmuan me gaz në shtëpitë e veta qytetarët dhe fëmijët e tyre në mënyrë kriminale, do të mbajnë përgjegjësi!

Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve ti dëgjojnë këto këmbana alarmi, të bashkohemi, ti japim dorën njëri-tjetrit për ti dhënë fund këtij regjimi, për të çliruar drejtësinë, e për të garantuar një qeveri që punon për popullin. #ShqiperiaSiEuropa”, shkruan Basha në facebook.

Gazi lotsjellës tek Bregu i Lumit, Meta: Çnjerëzor dhe jo ligjor

Në një reagim zyrtar për mediat, presidenti Meta ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj banorëve tek Bregu i Lumit duke akuzuar autoritetet për një sjellje aspak njerëzore dhe ligjore.

Reagimi i Plotë:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta e ka ndjekur me shumë shqetësim situatën konfliktuale të dy ditëve të fundit të krijuar në Tiranë për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve publike për prishjen e banesave, me qëllim realizimin e projektit të zgjatimit të Bulevardit të Ri, në zonën e quajtur “Bregu i Lumit”.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar, Presidenti Meta shprehet shumë i shqetësuar mbi sjelljen e autoriteteve publike për të ndërhyrë përtej çdo lloj logjike njerëzore, si dhe për përdorimin e forcave të Policisë së Shtetit për të ndërhyrë në banesa në mënyrën brutale dhe aspak profesionale.

Përzgjedhja e kohës së ndërhyrjes për të nxjerrë qytetarët nga shtëpitë e tyre dhe mënyra e veprimit, duket një logjikë jo shtetërore, por tinzare dhe nuk reflekton asnjë mbështetje ligjore.

Presidenti vlerëson se përdorimi i gazit lotsjellës duke detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre është një akt i papranueshëm.

Presidenti i Republikës, i bën thirrje autoriteteve publike, Bashkisë Tiranë, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Brendshme, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, IKMT, IMT të Bashkisë Tiranë, që :

Të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe duhen domosdoshmërish të mbrohen;

Të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore për shpronësimin për interes publik, të të gjithë personave që preken nga ky projekt, si të atyre që gëzojnë një çertifikatë pronësie, por edhe të atyre që nuk kanë mundur të ligjërojnë dot banesat e ndërtuara edhe pse janë aty prej më se 20-vitesh;

Presidenti i Republikës, vlerëson se realizimi i këtij projekti urban të rëndësishëm për qytetin e Tiranës, nuk duhet të pengohet dhe as të vonohet, por vënia në zbatim e tij, nuk duhet të shkatërrojë të ardhmen dhe jetën e shtresave më të pamundura të shoqërisë;

Institucionet publike duhet të angazhohen për ta zgjidhur ligjërisht problemin dhe nëse një akt nënligjor që rregullon gjendjen nuk ekziston, ai mund të krijohet dhe të vihet në zbatim. Kjo është detyra primare e qeverisë, që brenda parashikimeve të ligjit dhe në respektim të parimeve, të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese, duhet të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe për interesin publik në tërësi;

Qeveria dhe Bashkia Tiranë duhet të tregojnë vullnet për zgjidhjen e këtij konflikti. Banorët kanë kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre dhe nga konflikti që ka lindur rezulton se kërkesat e tyre nuk janë trajtuar në themel as nga Bashkia Tiranë dhe as nga Qeveria.

Banorët kërkojnë dëmshpërblim për banesat e tyre pasi janë aty prej më se 20 vitesh dhe shteti edhe pse e njeh gjendjen prej vitesh, nuk mundet t’i trajtojë ata si zaptues, pasi çdokush meriton të drejtën për të patur një strehë dhe për të rritur fëmijët e tij si gjithë të tjerët.

Qeveria në raste të ngjashme dhe identike me këtë rast, kur ka patur vullnet, ka mbajtur qëndrime pozitive përgjatë viteve 2011, 2012, 2015 në zbatimin e disa projekteve të infrastrukturës rrugore, të tilla si zgjatimi i Bulevardit Zogu I (pjesa parë), pjesa tjetër e Unazës së Madhe (segmenti Pallati me Shigjeta-Kopshti Zoologjik), si dhe Unaza hyrëse e qytetit të Vlorës. Në mungesë të kuadrit ligjor për rregullimin e çështjeve të shpronësimit të objekteve të palegalizuara që prekeshin, qeveria ka ndërhyrë duke nxjerrë akte nënligjore dhe duke i trajtuar me respekt e humanizëm banorët që janë dëmtuar nga realizimi i këtyre projekteve respektivisht: me VKM nr.563/2011, VKM nr.560/2012, VKM nr. 133/2015. Trajtimi i ndryshëm që i bëhet banorëve sot, tregon shenja të dukshme diskriminimi dhe njëanshmërie, që duket se kanë prodhuar këtë konfikt brutal të shtetit me qytetarët e tij.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, është një, pavarësisht se kush është forca politike që drejton dhe ajo duhet t’i trajtojë qytetarët në mënyrë të barabartë. Qeveria duhet të garantojë qytetarët e prekur nga realizimi i projekteve publike, të kenë mundësi të rifillojnë jetën e tyre me sa më pak dhimbje dhe kosto, që vijnë për shkak të humbjes së banesës së tyre.

Për këto arsye, Presidenti i Republikës, i kërkon:

Avokatit të Popullit, të hetojë urgjentisht të gjitha veprimet e Policisë së Shtetit;

Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të hetojë veprimet e institucioneve shtetërore në trajtimin e rastit në fjalë;

Organit të Prokurorisë, të nisë menjëherë verifikimet përkatëse për të analizuar në detaj të gjitha veprimet arbitrare të organeve publike dhe Policisë së Shtetit, si edhe të dërgojë përpara drejtësisë të gjithë personat përgjegjës ;

Organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të hetojnë dhe të reagojnë për çdo akt dhune të panevojshëm që Policia e Shtetit dhe institucionet shtetërore kanë ushtruar sot ndaj qytetarëve të pambrojtur.

Tension te Bregu i Lumit, policia ndalon ish-deputetët e PD

Partia Demokratike njofton se policia ka ndaluar ish deputetët demokratë që t’i bashkohen protestës së banorëve të Bregut të Lumit të cilët kundërshtojnë shembjen e banesave për t’i hapur rrugën ndërtimit të Bulevardit të ri të Tiranës.

Siç njofton PD, policia nuk ka lejuar ish-deputetët Bumçi dhe Balliu të afrohen tek zona ku po prishen banesat.

Sipas selisë blu përfaqësuesit e PD po shkojnë tek Komisariati 4 ku janë shoqëruar nga policia disa protestues.

Policia me fadroma te Bregu i Lumit, banorët në protestë

Vazhdon edhe sot protesta e banorëve të Bregut të Lumit, ndërsa që në orët e para të mëngjesit kanë mbërritur atje fadromat për të shembur shtëpitë e tyre. E gjithë zona është e rrethuar me forca të shumta policie që janë përballur me kundërshtimin e banorëve të zonës të cilët nuk lejojnë të dalin nga shtëpitë, ku kalon edhe projekti për zgjatimin e Bulevardit të ri të Tiranës.

Ndërkaq në vendngjarje ndodhen edhe ish deputetë të Partisë Demokratike si Klevis Balliu dhe Jorida Tabaku, të cilët kanë shkuar në mbështetje të banorëve ashtu si një ditë më parë.

Skip to toolbar