Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar në rrjetet sociale pas një deklarate të homologes serbe, Ana Brnabic.
Haradinaj ka shkruar se dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk e ka bllokuar taksa, por aspiratat territoriale të Beogradit.
“A po e shihni se Taksa nuk e ka bllokuar dialogun, por aspiratat territoriale të Serbisë ndaj Kosovës! E po Kosova është shtet sovran me këta kufij, ndërkombëtarësh të njohur dhe të pandryshueshëm, dhe sa më parë ta kuptojë ketë fakt lidershipi në Serbi, është më mirë për ta”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Më parë, Kryeministrja e Serbisë, Brnabiq ishte shprehur për mediat serbe se njohja e Kosovës në kufijtë ekzistues është vijë e kuqe mbi të cilën Serbia nuk do të kalojë.
Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është ndërprerë prej disa muajsh. Ndërsa qeveria e Kosoëvs ka vendosur taksën 100% për mallrat serbe dhe bllokuar shkëmbimin tregtar, taksë kjo e vendosur si kusht që Serbia të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Vendosja e taksës nga Kosova ka sjellë reagime nga ndërkombëtarët të cilët i kanë bërë apel qeverisë që ta heqë, por deri tani qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga ky vendim. Ndërsa serbia nga ana e saj vazhdon të mos pranojë uljen në tryezën e negociatave duke vënë si kusht heqjen e taksës.