Të hënën konstituohet Këshilli Bashkiak. Fati i Shkodrës në Kushtetuese

AKTUALITET


Shkodra u bë qartazi “nyja gordiane” e kësaj krize të gjatë politike në vend. Pas dorëheqjes së kryebashkiakut socialist Valdrin Pjetri, në kushtet e mungesës së një kandidati rival, në kushtet e përfundimin të mandatit të kryetares aktuale të bashkisë, në kushtet ku presidenti refuzon të dekretojë një datë zgjedhjesh të pjesshme, situata komplikohet edhe më tej. Po çfarë do të ndodhë me Shkodrën, kush do ta drejtojë bashkinë më të madhe të Veriut, e cila është marrë nën patronazhin e Ramës si kryekoordinator i PS-së, fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit?

Konstituimi i Këshillit Bashkiak


Ditën e hënë Prefekti i Shkodrës ka njoftuar se do mbledhjen e këshillit të ri bashkiak të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.  Pavarësisht se kryebashkiaku ka dhënë dorëheqjen Këshilli Bashkiak duhet të konstituohet në bazë të ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe në mbledhjen e parë të tij që do të jetë të hënën në orën 10 do të shpallë vlefshmërinë e mandatit të kryetarit të ri të bashkisë.

Këshilli i ri Bashkiak menjëherë pas konstituimit do ta thërrasë Valdrin Pjetrin te beje betimin, por në kushtet kur ai ka refuzuar ta marrë mandatin, duhet qe te njoftoje këshillin përmes një shkrese, duke i vënë në dijeni edhe arsyet e dorëheqjes. Në këtë rast Këshilli vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në mbledhjen më të afërt KQZ merr në shqyrtim kërkesën e më pas i drejtohet presidentit të republikës, i cili ka në tagër të tij shpalljen e dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në këtë bashki.

Presidenti refuzon një dekret të ri

Siç realstory e ka njoftuar më parë, topi kalon në fushën e Metës. Pasi sipas kodit zgjedhor neni 10 Presidenti duhet të dekretojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme vendore në Shkodër, jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit të të zgjedhurit lokal. Dhe se në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.

Por Meta nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit dhe ka shpallur dekretin për mbajtjen e tyre më 13 Tetor, ndërsa të premten e tha qartë se nuk do të dekretojë datë tjetër për zgjedhjet të pjesshme në Shkodër. Sipas tij zgjedhjet e ligjshme dhe kushtetuese jo vetëm në Shkodër por në mbarë Shqipërinë janë ato të 13 tetorit. Madje Meta tha se në detyre duhet të qëndrojë kryebashkiakja aktuale e Shkodrës Voltana Ademi derisa të zhvillohen zgjedhjet më 13 tetor sipas tij.

Voltana, kryetare pa “fuqi”

Të gjitha gjasat janë që Voltana Ademi të qëndrojë në detyrë, megjithëse mandati i saj përfundon më 20 gusht. Kjo për faktin se Këshilli Bashkiak nuk ka asnjë të drejtë që të shkarkojë nga detyra një kryetare bashkie. Ndërsa në bazë të ligji për vetëqeverisjen vendore në nenin 60, ku i referohet mandatit të kryetarit të bashkisë në pikën 4 të tij përcaktohet se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.”

Pra mandati i Voltanës përfundon kur bën betimin kryebashkiaku i ri, i cili dha dorëheqjen pa bërë betimin.

Por megjithëse do të vazhdojë të mbajë postin e kryetares së bashkisë, Voltana Ademi s’do të ketë asnjë fuqi ligjore, pasi ajo do të ketë përballë një këshill bashkiak tërësisht socialist. Asnjë vendim i saj nuk mund të miratohet pa votat e këshilltarëve të majtë. Ndaj dhe vendimmarrja në Shkodër do të jetë e vështirë, të paktën deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosë për Metën dhe zgjedhjet dhe do të zgjidhë krizën në Shkodër dhe në mbarë vendin. Me ngritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese çështja e parë që do të shqytohet është dekreti i Metës për anulimin e 30 qershorit, dekret ky që shkaktoi kaos dhe thelloi krizën në vend. Nëse Kushtetuesja rrëzon dekretin dhe njeh zgjedhjet e 30 qershorit, automatikisht duhet të vendoset për zgjedhje të pjesshme në Shkodër, që do të sjellin një kryetar të ri bashkie për këtë qytet./realstory.al




Skip to toolbar