Këshilli Bashkiak i Shkodrës do të konstituohet të hënën në ora 11:00, duke bërë që të realizohet vetëm betimi i këshilltarëve socialistë, pasi kryebashkiaku i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri ka dhënë dorëheqjen. Për shkak se bashkia kontrollohet nga demokratët, PS-ja ka zgjedhur që ky konstituim të realizohet në një nga auditoret e rektoratit të universitetit të Shkodrës.
Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja me anë të një shkrese kërkon mbledhjen e këshillit bashkiak të Shkodrës më 19 gusht. Shkresa e firmosur nga prefekti ka tre pika në rendin e ditës, konstituimi i këshillit dhe zgjedhjeve e organeve drejtuese dhe përfaqësuese; zgjedhje e përfaqësuesve të anëtarëve të rinj në këshillin e qarkut. Pika e tretë është shpallja e vlefshmërisë së kryetarit të bashkisë së Shkodrës. Me këtë akt pritet të bëhet publike edhe fakti i dorëheqjes nga post i Valdrin Pjetrit.
Për këtë zhvillim Partia Demokratike, dega Shkodër ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste përpara godinës së rektoratit të universitetit.
“I bëjmë thirrje Rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” të ruajë strikt asnjanësinë institucionale dhe të mos e përziejë auditorin e dijes universitare në lojën e pisët të Partisë Socialiste. E njëjta thirrje i adresohet çdo drejtuesi tjetër rajonal ku shpura e të bojkotuarve do të kërkojë të fshihet për të kryer një akt të paaprovuar! Thirrja dhe akuza kryesore i drejtohet Edi Ramës: Larg duart nga Shkodra dhe mos e shndërro kryeqendrën e Gegnisë në një fushëbetejë të parë të përplasjes së reparteve tuaja paramilitare me qytetarët e lirë! Ju duhet t’i kërkoni falje dhe të tërhiqeni nga Shkodra në pritje të garës së ndershme dhe jo të vijoni aksionin uzurpues ndaj saj! Përpjekja e 30 qershorit për të instaluar një pushtet monist është refuzuar në mënyrë plebishitare nga elektorati i Shkodrës”, thuhet në deklaratën e degës së PD-së.
Dy ditë më parë, në Shkodër u protestua kundër kryebashkiakut Valdrin Pjetri, i cili sipas PD-së rezulton i dënuar në Itali për trafik droge në vitin 2003, një ngjarje e fshehur nga vetë kandidati socialist në formularin e “Dekriminalizimit”. Pas këtyre qëndrimeve të forta të PD-së, kandidati socialist, fituesi i zgjedhjeve pa garë në bashkinë e Shkodrës, u detyra të jepte dorëheqjen, duke mos pranuar që të ushtronte detyrën e kryebashkiakut.