Për Naile Nelën, vrasësi i djalit të saj, Mario Majollari, është ai që gjykata i pushoi çështjen, Kastriot Gjuzi. Ndërsa fshin lotët e shtrëngon duart, Naile Nela akuzon policinë e prokurorinë se ka fshirë çdo provë që fajësonte Gjuzin në krim, por shprehet se ajo do të kërkojë drejtësi sa të ketë frymë, pasi djali i saj ishte i pafajshëm dhe u vra pas shpine.
“Që është Kastriot Gjuzi, ajo dihet. Ishte vetë policia që nxori emrin e këtij. I at ii Marios ka bërë dy vrasje, mund të ishte edhe pala tjetër. Pse ishte pikërisht emri i këtij që doli? Sepse ishin provat. Dhe është po kjo polici që i fshiu të gjitha provat, i fshiu të gjithë dosjen. Dosja është e bardhë. Unë kam dosjen që kanë bërë hetimin dhe janë shumë gjëra që prokuroria nuk i ka zbardhur aty. Është një polic që ka shkuar, që ka deponuar aty, janë shenjat e gishtërinjve të Rigersit e të Kastriotit bashkë, janë dëshmitë e komshinjve dhe nuk janë marrë asnjë për bazë”, shprehet ajo.
Edhe pse tashmë nuk ka më besim te drejtësia, Naile Nela shprehet se çështjen do ta çojë deri në Gjykatën e Lartë, pasi Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që çështja për Kastriot Gjuzin të pushohet për mungesë provash. “Sa të kem frymë e sa të kem jetë nuk do ta lë mbrapa këtë gjë. Sepse djali im ishte i pafajshëm. Djali im u vra prapa kurrizit. Sepse e dinin që te familja ime nuk kishin aq forcë si të bësh vetëgjyqësinë, si dhe nga instancat shtetërore. Nuk kam besim te drejtësia. Deri më sot nuk kam. Të shikoj tek e Larta (Gjykata e Lartë) sa mund të ecë, por më ka humbur besimi”, thotë Naile Nela për Report Tv.
Pak javë më parë, thotë Nailja, pjesëtarë të fisit Gjuzi kanë kërcënuar me jetë edhe bashkëshortin e motrës së saj, denoncim i cili është depozituar në komisariatin numër 4. “Ai është provokuar dhe është kërcënuar. Madje ka bërë edhe një denoncim tek rajoni 4 për mbrojtje dhe policia nuk i ka vënë mbrojtje, thjesht i kanë thënë nuk na duket aq e rrezikshme. Policisë i duket e rrezikshme vetëm kur shkon në Tufinë”, u shpreh Nela.
Marjo Majollari u vra mbrëmjen e 10 Prillit të 2018-ës pranë pallatit ku ai banonte. Pas ngjarjes, policia tha se shkak ishte gjakmarrja, pasi babai i tij, Avni Majollari tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm, në vitin 2000 vrau Armando Nelën e Ilir Gjuzin, vëllain e Kastriot Gjuzit.
Më 1 gusht, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për pushimin e hetimeve për Kastriot Gjuzin, i cili dyshohet si autor i vrasjes së Mario Majollarit.Gjuzi u lirua dy muaj më parë, ndërkohë që pushimi i hetimeve u kërkua nga prokuroria pasi nuk u siguruan provat ndaj tij. Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë hetimet për Gjuzin më 29 maj, vendim që u kundërshtua nga familjarët e viktimës.
Prokurori argumentoi në seancën e 29 majit se nuk janë gjetur provat materiale, si arma e krimit dhe për këtë nuk vërtetohen pretendimet. Ndërkohë, nëna e Majollarit duke folur për mediat ditën kur u mbajt seanca u shpreh e revoltuar dhe tha se do të apelojë vendimin, që u rrëzua në fillim të muajit Gusht. Tashmë, ajo thotë se çështjen e ka çuar në Gjykatën e Lartë.