Nuk shkoi në Shkodër, Basha sulmon qeverinë nga Facebook

AKTUALITET


Pas protestës që demokratët e PD-së së Shkodrës organizuan kundër konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak, ka reaguar në facebook, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Ai nuk mori pjesë në protestë, ndryshe nga sa i kishte premtuar kryebashkiakëve të djathtë se do i mbronte me çdo kusht dhe me çdo mjet bashkitë e djathta dhe nuk do i lironin zyrat. Por ja që edhe në Shkodër Basha nuk u shfaq, por nga facebook sulmoi qeverinë dhe bëri thirrje për arrestime.

“Beteja e sotme në Shkodër është beteja e çdo shqiptari që nuk pranon dhunën, hajdutërinë dhe kriminelët e Edi Ramës, nuk pranon papunësinë, padrejtësinë dhe arrogancën e Hajdutit Psiqik.

Qëllimi ynë është t’i nxjerrim këta banditë dhe hajdutë nga institucionet, nga parlamenti, nga bashkitë e pushtuara dhunshëm, t’i nxjerrim nga lokalet dhe hotelet luksoze, t’i nxjerrim nga studiot e mediave të kapura, t’i nxjerrim nga ekonomia, e t’i çojmë para ligjit. Tu vëmë prangat dhe t’i pastrojmë institucionet dhe rrugët e Shqipërisë, të pastrojmë ekonominë shqiptare nga këta banditë dhe hajdutë dhe t’ua kthejmë Shqipërinë njerëzve”, shkruan Basha.

Ndërsa Sekretarit të Përgjithshëm të PD Gazment Bardhi pas protestës në Shkodër tha se kjo është protestë qytetare dhe jo politike.

“Protesta është një protestë qytetare, nuk është një protestë politike. Ajo që patë atje ishte një cirk i paligjshëm i një qeverie të paligjshme, që ka grabitur me krimin pushtetin qendror, sot tentoi të grabiste, po me krimin, pushtetin vendor. Në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë nuk kanë për ta gëzuar asnjë ditë.”, shkruan Bardhi.

PD e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, pas zgjedhjeve shpërndau një dokument të brendshëm, të cilin e publikoi në mëmnyrë ekskluzive realstory dhe përmes të cilit angazhohej për mbrojtjen me çdo mjet të bashkive të djathta. Por rezistenca e demokratëve u pa vetëm në bashkinë e Devollit dhe në atë të Kavajës dhe më pas u shumua. Vetë lidershipi i PD-së u tërhoq me nisjen e pushimeve verore dhe nuk u shfaqen as në mbrotje të Xhelal Mziut në Kamëz dhe as në Shkodër ku protesta u udhëhoq nga Bardh Spahia dhe jo nga Basha.



Skip to toolbar