Këshilli drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partia e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, ka përfunduar takimin, ku është votuar që të bëjnë koalicion parazgjedhor me PSD-në e Shpend Ahmetit.
Ketë e ka konfirmuar pas takimit kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. “Ka dominuar tema e koalicionit me PSD-në në këtë takim. Është votuar me shumicë votash, me dy abstenime, koalicioni parazgjedhor me PSD-në”, tha ai. AAK gjithashtu e ka konfirmuar edhe përmes një komunikate për mediat, ku shtohet se i është dhënë mandati kryetarit Ramush Haradinaj që ta zgjerojë koalicionin dhe eventualisht zgjerimin e tij me parti tjera.
“Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot (e hënë), e ka votuar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me Partinë Social Demokrate të Kosovës. Njëkohësisht, Këshilli Drejtues i AAK-së, që është organi më i lartë drejtues i Partisë, e ka mandatuar kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, për diskutime për zgjerimin eventual të Koalicionit parazgjedhor të AAK-së”, thuhet në komunikatën e AAK-së
Gjithashtu ka përfunduar mbledhja e Këshillit drejtues të PSD-së në të cilën pritej të vendosej lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor me AAK-në. Pas kësaj mbledhje, anëtarët e PSD-së nuk janë deklaruar. Mësohet gjithashtu se është vendosur që koalicioni të jetë parazgjedhor, pra AAK dhe PSD do të garojnë në listë të përbashkët zgjedhore. AAK-ja ka qenë pjesë e qeverisë, duke e udhëhequr atë. Ndërsa PSD-ja ka qenë pjesë e opozitës.