Të hënën paradite u bë konstituimi i këshillit bashkiak të Shkodrës, dalë prej zgjedhjeve të 30 qershorit. Në mbledhjen, që u shoqërua me protesta, mungoi Valdrin Pjetri, i cili nuk u paraqit të bënte betimin si kryetar i bashkisë së Shkodrës, pasi më herët lajmëroi se ‘nuk do të merrte mandatin’. Në këto kushte, Voltana Ademi do të vijojë të jetë kryetare e bashkisë së Shkodrës, deri në zgjedhjet e ardhshme për kryebashkiak, që me gjasa do të mbahen së shpejti, duke përdorur nenin 161 të Kodit Zgjedhor, që parashikon një dispozitë ligjore për nxjerrjen të pavlefshme të zgjedhjeve (lexo shkrimin në Realstory.al).
Megjithatë, edhe pse një situatë konfuze sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, Voltana Ademi do ta ketë të vështirë të drejtojë Shkodrën në kushte normale. Pasi, sipas ligjit për Pushtetin Vendor, këshilli bashkiak është një institucion i rëndësishëm vendimarrës për çështje të rëndësishme. Konkretisht, sipas Nenit 54 të ligjit për Pushtetin Vendor, përcaktohen qartë kompetencat që ka Këshilli bashkiak.
Veç faktit që miraton rregulloren e brendshme të komisioneve të ndryshme të këshillit, emëron zëvendëskryetarin apo sekretarin e tij, Këshilli bashkiak miraton nivelin e pagave apo shpërblimet për punonjësit e bashkisë. Miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose me të cilët është bashkëthemelues.
Miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë. Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve; organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm të bashkisë; vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi.
Vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve; vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të vetëqeverisjes vendore, përfshirë subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë; vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet; zgjedh përfaqësuesit e këshillit bashkiak në këshillin e qarkut, të cilët, në jo më pak se 50 për qind të tyre, duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar; vendos për dhënien ose deklarimin e mbarimit të mandatit të këshilltarit, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në nenin 49 të këtij ligji, etj.
Pra duke u nisur nga këto kompetenca, Këshilli bashkiak është një parlament i rëndësishëm lokal, që do të ketë në dorë çdo vendimmarrje për qytetarët e Shkodrës, duke anashkaluar edhe kryetaren e bashkisë. Madje, Këshilli bashkiak do të mund të mbikëqyr punën e bashkisë dhe të Voltana Ademit, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Në këto kushte, Voltana Ademi do të ketë pushtet të kufizuar, e cila gjithashtu, sipas Nenit 64 të ligjit për Pushtetin Vendor, sipas pikës ‘b’ të këtij neni, ka detyrën për të ‘zbatuar aktet e këshillit bashkiak’. Do të jetë parlamenti i ri lokal që do të qeverisë Shkodrën, duke e detyruar Voltana Ademin të zbatojë vendimet e tij.