Situata e rënduar nga zjarret në vendin tonë, ka bërë që të dalin në terren Forcat e Armatosura. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka reguar detaje nga operacioni që po zhvillohet në kodrën e Shëngjinit, ku prej dy ditësh ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Xhaçka shkruan se flakët janë duke u mbajtur nën kontroll, ndërsa thekson se deri tani nuk rrezikohet asnjë banesë.
“Kontribut i përbashkët i trupave dhe mjeteve të MZSH, pushtetit vendor, Forcave të Armatosura dhe banorëve për mbajtjen nën kontroll të zjarrit të rënë në kurorën e gjelbër të Shëngjinit. Asnjë banesë e rrezikuar, ndërkohë që, prej dy ditësh e netësh, FA me mjete e trupa nga Tirana e Shkodra dhe bashkia Lezhë janë në terren dhe do të jenë aty deri në shuarjen e plotë të flakëve”, shkruan Xhaçka.
Për shuarjen e zjarrit në Shëngjin mësohet të jenë bashkuar rreth 200 trupa të ushtrisë, forcave zjarrfikëse dhe shërbimeve të tjera të pushtetit vendor dhe atij qendror. Ndërkohë, më herët gjatë të premtes, Bashkia e Tiranës i shkoi në ndihmë Bashkisë së Lezhës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Shëngjin.