Katër persona janë arratisur nga burgu rural i Tirinthias, në Greqi, duke alarmuar vendin fqinj. Mësohet se mes të arrestuarve janë dy shqiptarë, një tjetër është maroken dhe një algjerian.
Ata janë arratisur mesditën e së mërkurës, ndërsa ka nisur menjëherë operacioni për kapjen e tyre. Mediat fqinje raportojnë se arratisja është konstatuar nga rojet e burgut, në momentin e numërimit të të burgosurve, gjatë orarit të drekës.
Ndërkohë, nuk dihet ende mënyra që është përdorur nga të burgosurit për të dalë nga qelia dhe as nuk bëhet i ditur identiteti i tyre. Për kapjen e tyre janë angazhuar forca të shumta policie të cilët po punojnë intensivisht edhe në pika doganore për të mos lejuar që ata të arratisen.
Ky është rasti i dytë në të njëjtin burg që regjistrohet një ngjarje e tillë, pasi më 7 qershor u arratis Yiannis Michailidis. Ai ishte dënuar me 23 vjet e 9 muaj burg, pas një përleshje me armë me policinë në Pefki, gjatë së cilës u plagosën dy oficerë policie dhe një i ri. Në të njëjtën kohë, ai u akuzua edhe për dy grabitje bankash në Velvento, Kozan. Arratisjet nga burgjet greke kanë qenë të shpeshta duke vënë në alarm sigurinë e sistemit të sigurisë së tyre, ku shpesh herë nuk kanë munguar edhe arratisjet e elementëve kriminalë shqiptarë, të cilët nuk kanë kryer vepra penale vetëm në Greqi, por edhe në vendin tonë pas largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit.