Takimin joformal të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe Vendeve të Ballkanit Perëndimor po mbahet në Helsinki, ku merr pjesë ministri Gent Cakaj bashkë me Federica Mogherini dhe Ministrin të Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto, për të diskutuar mbi pritshmërinë për një vendim pozitiv nga Këshilli në tetor 2019. Ky është një format i njohur i Presidencave të Këshillit të BE-së në fillim të mandatit të tyre gjashtëmujor, i cili daton që në vitin 1974.
Në takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, si dhe vendet aspirantë për anëtarësim dhe është konceptuar si takim jo-formal për diskutime të hapura mes ministrave të jashtëm, për të diskutuar mbi çështjet e rendit të ditës së Bashkimit Evropian.
Ministrat pritet të trajtojnë tema të nxitjes së bashkëpunimit rajonal në fusha të interesit të përbashkët. Do të diskutohen çështjet e agjendës evropiane e të rajonit, nismat në kuadër të procesit të Berlinit apo transheve të tjera paralele rajonale, të cilat kanë si objektiv agjendën e zgjerimit.
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë qëndrimit në Helsinki ka një agjendë të ngjeshur takimesh me homologët e tij të vendeve të BE-së, për të diskutuar mbi pritshmërinë për një vendim pozitiv nga Këshilli në tetor 2019 për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Gjithashtu, në fokus të takimeve do të jetë edhe situata në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.