Presidenti Aleksander Vuçiç nuk e ka pritur mirë emërimin e Palmer për Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se presioni do të rritet dhe më shumë për Kosovën. Kreu i shtetit serb i ka bërë deklaratat e tij së fundmi, ndërsa ka folur për vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Lideri serb ka theksuar se e pret një fazë e vështirë në raport me Kosovën.
Këto deklarata ai i ka bërë në një intervistë për Tv Prva, ndërsa ka folur edhe për vendimin e fundit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer si përfaqësues special të Washingtonit në Ballkanin Perëndimor.
Kreu i shtetit serb pret që të ketë presione të mëdha sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ndërkohë thotë se është naive të thuhet se emërimi i Palmer mund të ketë ndonjë impakt pozitiv për Beogradin vetëm për faktin se ai është dhëndër i Serbisë. “Unë nuk i komentoj titujt e tabloidëve dhe budallenjtë që thonë gjëra të tilla. Do të jetë shumë e vështirë për ne”, është shprehur Vuçiç.