Një telefonatë për vendosjen e një bombe në shkollën “Emin Duraku” ka alarmuar policinë mëngjesin e kësaj të hëne.
Telefonata është bërë rreth orës 06:30, duke pretenduar se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, së bashku me strukturat antiterror, të cilat kanë nisur kontrollet në ambientet e institucionit arsimor.
Pas verifikimeve, rezultoi se bëhej fjalë për një alarm të rremë dhe nuk u konstatua asnjë lëndë apo pajisje shpërthyese.
Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar Edmond Jataganin, i cili dyshohet se qëndron pas telefonatës që shkaktoi alarmimin.
Gjithashtu raportohet se Jatagani është një person i njohur për Policinë Shtetit, pasi është shoqëruar disa herë për dhunë në protesta.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e ngjarjes.


