Nis viti i ri shkollor, rreth 25 mijë fëmijë ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës

AKTUALITET


Në të gjitha shkollat e vendit nis sot viti i ri mësimor 2026–2027, një ditë e veçantë dhe plot emocione sidomos për rreth 25 mijë fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Viti i ri shkollor vjen me një sërë risish dhe investimesh në institucionet arsimore. Në të gjithë vendin kanë hapur dyert rreth 42 shkolla të reja dhe terrene sportive, ndërsa vetëm në Tiranë janë ndërtuar 8 shkolla të reja. Investimet synojnë krijimin e ambienteve më moderne, të sigurta dhe me standarde europiane për nxënësit.

Ministria e Arsimit ka bërë të mundur shpërndarjen e teksteve shkollore në të gjitha shkollat. Për herë të parë, i gjithë cikli i arsimit fillor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, është pajisur me tekste të reja dhe falas.

Një tjetër risi është zgjerimi i programit “Pas shkolle”, ku këtë vit përfshihen 408 shkolla në mbarë vendin. Programi u ofron nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre përmes aktiviteteve të ndryshme, si “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje dhe arte pamore.

Sipas organizimit të përcaktuar për këtë vit, nxënësit e klasave të para dhe të dyta do të mund të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të orarit mësimor. Fëmijët që mbarojnë mësimin në orën 11:30 do të qëndrojnë deri në orën 14:00, ndërsa ata që përfundojnë në orën 12:30 ose 13:10 mund të qëndrojnë deri në orën 15:00.

Ndryshime ka edhe në organizimin e ditës së parë të shkollës. Kjo ditë do t’i kushtohet veçanërisht orientimit dhe informimit të nxënësve, duke i njohur ata me rregullat, normat e sjelljes dhe mënyrën e organizimit të institucionit arsimor.

Një tjetër risi lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin mësimor. Sipas udhëzuesit të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe të publikuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, mjetet e inteligjencës artificiale, përfshirë platforma si ChatGPT dhe Gemini, mund të përdoren si mjete mbështetëse në mësimdhënie dhe të nxënë.

Qëllimi është që teknologjia të përdoret për të ndihmuar zhvillimin e aftësive të nxënësve dhe mësuesve, pa zëvendësuar rolin dhe aftësitë njerëzore.

Siguria në institucionet arsimore mbetet gjithashtu një prioritet. Në kuadër të projektit “Smart City”, 20 shkolla në Tiranë dhe Kamëz janë pajisur me kamera inteligjente.



Skip to toolbar