Presidenti Ilir Meta jep sinjale se do të largohet nga presidenca dhe do të kthehet në parlament. Këtë deklaratë e ka bërë të mërkurën teksa i ka kthyer përgjigje gazetarëve, siç thotë ai, që e kanë “çmendur” me mesazhe duke e pyetur nëse do të shkojë në seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar Hetimor, i cili dje vendosi ta thërrasë presidentin të dëshmojë për shkeljet antikushtetuese siç është anulimi i datës së zgjedhjeve.
“Të dashur miqtë e mi gazetarë. Më “çmendët” me sms tuaja, si asnjëherë tjetër!
Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj tek Parlamenti?!
Së pari, Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional. Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik.
Së dyti, unë mezi pres të kthehem tek Parlamenti”, shkruan Meta, i cili mes rreshtave kthen përgjigje për shumë pyetje të tjera njëkohësisht dhe konfirmon atë që realstory ka shkruar më herët se presidenti po bëhet gati për t’u kthyer në politikë si kryetar partie.
Përmes kësaj deklarate Meta njofton kthimin e tij në politikë si opozitar në parlament, tani që është në prag të shkarkimit nga Kuvendi. Më herët realstory ka shkruar se presidenti Meta po përgatit terrenin që pas shkarkimit të krijojë një parti të re, ndërsa LSI-në do ta lërë nën drejtimin e Kryemadhit.
Komisioni Hetimor Parlamenti vendosi në mbledhjen e së martës që të thërrasë në seancë dëgjimore presidentin Meta, i cili duhet t’i përgjigjet deputetëve në lidhje me vendimin e tij për të anuluar datën e zgjedhjeve më 30 qershor. Ligjvënësit akuzojnë presidentin se ka tejkaluar kompetencat që i njeh Kushtetuat përmes këtij akti dhe se ai tentoi të destabilizonte vendin. Pritet që Meta të jetë i pranishëm në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni./Realstory.al