Video/ Droni çek “pa krahë” në fushën Dardane, Kosova lë pas Anglinë

AKTUALITET


Kosova ka fituar 2-1 ndaj Republikës Çeke ndeshjen e radhës kualifikuese të Euro 2020. Dardanët kanë arritur të përmbysin avantazhin e miqve, të cilët shënuan në minutën e 16` të takimit me anë të Schick. Një gabim i mbrojtjes kosovare, që i la hapësirë futbollistit çek, bëri që miqtë të kalonin në avantazh. Megjithatë, gjithçka u vendos në barazpeshë vetëm katër minuta më vonë.

Në të 20`, Rashani zbret me një sprint spektakolar nga krahët, duke gjetur Muriqin brenda zonës që mjafton duke shtyrë topin drejt rrjetës dhe barazon 1-1. Goli i fitores për Kosovën erdhi në minutën e 67`, kur Berisha dërgon një top në zonë nga goditja e këndit. Vojvoda zbret brenda zonës dhe godet me forcë, me topin që përfundon në rrjetë dhe në “Fadil Vokrri” shpërthen festa.

Minutat e mbetura të takimit, djemtë ‘Dardanë’ mbajnë të paprekur portën duke marrë tre pikë të arta. Me fitoren e të shtunës, Kosova ngjitet në vendin e parë në Grupin A me 8 pikë ndërsa pas saj ndodhet Anglia me 6 pikë.

Ndërkohë, në stadiumin e Prishtinës, ka pasur një interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët kosovarë për të ndjekur ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila mori disi trajta politike, pasi gjatë paradites, policia arrestoi 8 shtetas çek, të cilët do të ngrinin një dron një banderol ku shkruhej “Kosova është Serbi”.



Skip to toolbar