Sulmet ndaj medias, Soreca: Liria e shprehjes, pikë referimi për demokracinë

AKTUALITET


Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, ka dhënë mesazhe të forta për lirinë e mediave dhe gazetarinë investigative në Shqipëri. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Shtëpinë e Europës, ku u dhanë çmimet për gazetarinë investigative, Soreca është shprehur se BE mbështet fortë lirinë e fjalës në Shqipëri, ndërsa ka thënë se ‘liria e mediave është pikë referimi për demokracinë’.

“Ne jemi sot këtu për të dhënë mbështetjen e fortë të Bashkimit Evropian për lirinë e mediave dhe gazetarinë investigative në Shqipëri. Në Ballkanin Perëndimor dhe më konkretisht në Shqipëri, BE-ja e konsideron lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave si pikë referimi për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjshmërinë politike. Aspirimi për t’u bërë një Shtet Anëtar i Bashkimit Evropian nënkupton që këto dy shtylla kryesore janë të vendosura mirë dhe respektohen”, ka thënë Soreca.

Ky mesazh i ambasadorit të BE në Tiranë, vjen vetëm pak ditë pasi në media u publikua një qarkore e Partisë Demokratike, ku shpallej portali Realstory.al dhe emisioni Real Story i gazetarit Sokol Balla, si media ‘armike’. Ndonëse në fjalën e tij Soreca është treguar i kujdesshëm dhe i rezervuar, mesazhi i lë të kuptohet se BE nuk pranon sulme ndaj ‘lirisë së fjalës dhe medias’, duke i konsideruar shtylla kryesore që duhet të respektohen. Megjithatë, mesazhet nuk mungojnë as për qeverinë, për të cilën kërkon që të bëjë kujdes me zgjerimin e kompetencave të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

“Komisioni Evropian ndan shqetësimet e organizatave të tjera ndërkombëtare, që lidhen me mungesën e sigurisë juridike dhe zgjerimin e fushës së kompetencës së Autoritetit të Mediave Audiovizive për të përfshirë rregullimin në internet të mediave – pasi kjo mund të çojë në efekt negativ mbi lirinë e shprehjes”, është shprehur Soreca.

Gjatë fjalës së tij, Soreca ka folur dhe për ‘fake news’, duke u shprehur se ky fenomen ka zbehur besimin e publikut te media. “Lajmet e rreme dhe dezinformimi gërryejnë besimin e publikut në gazetari dhe në institucionet publike, gjë që nga ana tjetër pengon që e gjithë shoqëria të ecë përpara. Kur bëhet fjalë për trajtimin e dezinformimit, ndërsa ndajmë shqetësimet e autoriteteve shqiptare në lidhje me dezinformimin, Komisioni rekomandon qasje që janë më pak të ashpra, bazuar në një qasje të vetërregullimit. Kjo është qasja që Komisioni Evropian propozon në Komunikimin e tij mbi “Trajtimin e dezinformimit në internet”, ka thënë Soreca.



Skip to toolbar