Pas SHBA-së edhe Gjermania vlerëson Reformën në Drejtësi. Sekretari parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë në Gjermani, Christian Lange, ka vlerësuar ecurinë e Reformës në Drejtësi në Shqipëri duke e cilësuar atë një proces unik, ndërsa ka theksuar edhe njëherë se Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë në këtë proces. Lange ndodhet në Tiranë ku ka zhvilluar takime me kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, si dhe me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në këto takime ai ka thënë se Reforma në Drejtësi do të forcojë më tej shtetin e së drejtës në Shqipëri. Ai ka theksuar se Gjermania pret të shohë ngritjen dhe funksionimin e SPAK dhe institucioneve të tjera të drejtësisë.
“Me vizitën time dhe bisedat që po zhvilloj në Shqipëri dëshiroj të krijoj një ide për gjendjen e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është një parakusht i rëndësishëm për procesin e përafrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria Federale mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe transparent është themeli për çdo shtet të së drejtës dhe çdo demokraci. Reforma e drejtësisë në Shqipëri është një proces unik në të gjithë rajonin, i cili tashmë ka arritur synime të rëndësishme dhe hap rrugën për një drejtësi të reformuar tërësisht, e cila duhet të orientohet vetëm nga e drejta dhe ligji. Unë përshëndes faktin që reforma në drejtësi po përparon në mënyrë të vazhdueshme dhe që institucionet e krijuara të drejtësisë kanë filluar punën. Tani më duket e rëndësishme që ndër të tjera Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK dhe BKH të bëhen funksionale në muajt e ardhshëm. Në mënyrë që reforma në drejtësi të marre më tej vrull, duhet që të gjithë institucionet e përfshira të vazhdojnë të punojnë në mënyrë profesionale dhe të fokusuar. Gjermania mbështet me ekspertizë dhe resurse reformat në shumë fusha dhe do të vazhdojë ta bëj këtë edhe në të ardhmen.
Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në drejtësi – me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj”, është shprehur Lange.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë Lange do të zhvillojë takime edhe me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi si dhe me Ambasadorin e EU-së Luigi Soreca dhe përfaqësues së EURALIUS-it. Deklarata e tij në mbështetje të ecurisë së deritanishme të reformës në drejtësi është edhe një përgjigje ndaj akuzave dhe sulmeve që i janë bërë kësaj reforme nga përfaqësues të opozitës dhe veçanërisht nga presidenti Meta. Ndërsa Meta e cilëson reformën të kapur, zyrtari i lartë gjerman e shikon atë si një proces unik që do të forcojë më tej shtetin ligjor në Shqipëri./realstory.al