Ilir Meta ka publikuar raportin prej 55 faqesh, i cili i është dorëzuar Komisionit të Venecias, ku “vetëmbrohet” për procesin e shkarkimit. Meta e nis shpjegimin ndaj Komisionit të Venecias, duke analizuar fillimisht situatën politike në vend. Që në nisje të raportit, Meta vetëmbrohet duke u shprehur se “Presidenti ka qenë i detyruar për të marrë akte vendimtare për të garantuar besueshmërinë e zbatimit të reformave kyçe”. Më tej, ai përmend atë që e quan “autoritet ekskluziv” të Presidentit për ushtrimin e kompetencës kushtetuese të datës së zgjedhjeve, ndërsa më pas vijon duke përmendur protesta të ndryshme të zhvilluara në vend gjatë vitit 2018-2019. në argumentet që i dërgon Venecias, Meta flet edhe për dosjet penale 184 dhe 339, ku duke cituar raportin e OSBE/ODIHR të zgjedhjeve të vitit 2017, shkruan se “këto të dhëna, edhe pse në dispozicion të Prokurorisë prej më shumë se dy vitesh, nuk i kishin vënë në lëvizje Organet Hetimore për të kryer veprime të mëtejshme ligjore”, shkruan Meta.
Sulmet ndaj Reformës në Drejtësi nuk mungojnë, në mbrojtjen që Meta bën përballë Venecias, duke përdorur argumenta, sipas tij, të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi. “Zbatimi i njënashëm dhe në kundërshtim me rekomandimet e qarta të Komisionit të Venecias dhe parashikimet kushtetuese të reformës në sistemin e drejtësisë ishte një prej shkaqeve kryesore për lindjen dhe përshkallëzimin e krizës”, shkruan Meta në raport. Një nga pjesët më interesante në raport, është dhe paragrafi ku Ilir Meta shkruan për “rritjen e pasigurisë dhe shqetësimit të aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë”. Meta përmend disa nga vendet e Bashkimit Europian që sipas Presidentit shfaqën “shqetësime për krizën”, por në asnjë rresht, ai nuk flet për SHBA-në dhe rolin e saj, në parandalimin e gjakderdhjes dhe konfliktit civil në 30 qershor.
“Shqetësime serioze shfaqën vendet fqinje Itali, Greqi, apo të tjera si Gjermania, Franca, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat i druheshin një eksodi masiv nga Shqipëri, apo rrezikut për destabilizimin e rajonit”, shkruan Meta. Më tej, po në këtë paragraf, Meta shkruan se “nuk munguan as deklarime publike nga ana e drejtuesve të lartë të PS që pretendonin për ndërhyrjen e faktorëve të tretë të huaj me qëllim destabilizimin e vendit”, citon Meta. Në fakt, kjo është një deklaratë e pazakontë, pasi ka qenë vetë Presidenti, si para, pas dhe së fundi në një konferencë për shtyp, që ka aluduar për “ndërhyrjen e faktorit të huaj”, madje duke sulmuar drejtpërdrejt SHBA në këtë rast.
Më tej, Meta flet për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke dhënë të njëjtët argumente si në ditën e nxjerrjes së dekretit, ndërsa përmend gjithashtu në këtë paragraf përsëri BE apo CDU/CSU, por në asnjë rresht SHBA. Pasi bën një përmbledhje të gjithë ngjarjeve që rrodhën nga 30 qershori deri më sot, Ilir Meta nxjerrë konkluzionet në fund të raportit. Në pikën e parë ai shkruan se palët “refuzuan” dialogun, në pikë e dytë, shkruan se “opozita dogji mandatet e 182 deputetëve dhe kandidatëve”, ndërsa në pikën tre, shkuran se “opozita parlamentare aktuale përfitoi mandatet në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe procedurave legjislative”. Më tej, Meta shkruan se “Parlamenti dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzojnë njohjen e autoritetit kushtetuese të Presidentit të Republikës”. /Realstory.al/