PD, akuza edhe për tërmetet: Jepini me PPP

POLITIKË


Tërmetet në vendin tonë kanë sjellë heshtje në kampin e PD që prej pasdites së të shtunës, kur e vetmja deklaratë e shpërndarë nga kjo forcë politike ishte mesazhi solidarizues i kryedemokratit Lulzim Basha. Por, duke iu frikësuar largimit të vëmendjes së qytetarëve nga propaganda e vet, opozita ka gjetur një mënyrë për të dalë nga bataku, duke sulmuar mazhorancën për situatën emergjente të krijuar nga goditjet e tërmeteve.

Nëpërmjet ish-deputetes Dhurata Çupi, Partia Demokratike ka sulmuar mazhorancën për dy mbledhjet e zhvilluara paraditen e së dielës, konkretisht me prefektët dhe më pas me grupin e PS e ministrat, duke akuzuar se këto janë mbledhje propagandistike, ndërsa në terren qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, duke e përballuar vetëm këtë situatë.

“Emergjencë kombëtare në televizion. Edhe në ditë të vështira propaganda vazhdon. Të gjitha strukturat shtetërore në Tiranë, dëgjojnë shefin e madh, në vend që të jenë në terren. Ai vazhdon insiston me Ertv që po punon shumë. Vetëm propagandë. Në terren asgjë. Qytetarët po përballojnë çdo gjë vetë. Jashtë apo brenda shtëpive deri në këto momente asnjë zyrtar nuk ka shpërndarë qoftë edhe një batanije. Gjendja e emergjencës nuk është shpallur. Nga buxheti i shtetit asnjë shifër sa është në dispozicion të kësaj ngjarje. Asnjë e dhënë sa batanije dhe ushqime janë në dispozicion. Prisni kur të miratojnë edhe një vendim për të dhënë edhe tërmetin me PPP. Zoti e ruajtë vendin në këto momente të vështira!”, shprehet Dhurata Çupi.

Siç duket PD ka harruar daljet e veta publike sa herë ka pasur ndonjë rast të ngjashëm të fatkeqësive natyrore, si përmbytjet, por ka harruar dhe faktin se shumë qytetarë presin, jo vetëm një zgjidhje, por edhe një shpresë në këto ditë të vështira të mbërthyer nga paniku.

Por nga ana tjetër nuk ka pasur asnjë raportim për situata të braktisjes së qytetarëve, ndërkohë që në dy mbledhjet e punës, kreu i qeverisë kërkoi pikërisht që njerëzit të mos lihen vetëm, ndërsa u vunë në dispozicion ambientet e mundshme për strehimin e tyre. Gjithsesi, PD nuk dihet nëse për vete ka dalë në terren apo është mbyllur në zyrat e selisë blu për të menduar sesi mund të tërheqë vëmendjen e publikut, siç thotë vetë ish deputetja e opozitës, në këto ditë të vështira.



Skip to toolbar