Përhapën fake news, rrezikojnë 5 vite burg

AKTUALITET


Pas shoqërimit në komisarit të gazetarëve të portalit Syri.net dhe gazetës Shekulli, gjatë të hënës sektori i Anti-Terrorit në polici ka zgjeruar rrethin e personave që po hetohen për akuzën e shpërndarjes së lajmeve të rreme që shkaktojnë panik tek njerëzit.

Report Tv i referohet burimeve nga Anti terrori ndërsa bën të ditur se oficerët e kësaj njësie kanë marrë në pyetje gjatë të hënës, kryeredaktorin e portalit Syri.net dhe personat e tjerë, ashtu si dhe gazetarin Aurel Rakipllari lidhur me lajmin që shkaktoi panik në Tiranë dhe Durrës dhe bëri që shumë njerëz të kalonin natën në rrugë dhe sheshe nga frika e tërmetit. Ndërkohë që shoqërimet pritet të vijojnë. Sipas burimeve nga Anti-Terrori do të pyeten të gjithë personat që kanë dijeni.

Shpërndarja e lajmeve të rreme me qëllim që shkaktojnë kaos dhe panik përben vepër penale dhe në bazë të nenit 267 dënohet deri në 5 vite burg.

Gazetarja e Shekullit online  Daniela Grica në një postim në rrjetet sociale bënte të ditur se persona të tjerë e kanë ndryshuar lajmin e saj, dhe kanë bërë montazh sikur e ka hedhur ajo. Grica nuk përmend emra, por hedh akuza se këta persona e kanë bërë qëllimisht deformimin që të krijonin panik. “Nuk e di! Nuk e di kush, pse, çfarë kërkoi ai apo ajo që modifikoi atë foto. Sepse ai nuk është një lajm, i shpërndarë me link, është një foto e modifikuar me fotoshop që përhapi panik”, shprehet Grica.

Edhe kryeministri Rama në një reagim të tij i cilësoi çnjerëzore dhe dashakeqëse lajmet e rreme të shpërndara të dielën në darkë në media, ndërsa tha se synohet të krijohet kaos.

Mbrëmjen e së dielës në rrjetet sociale dhe në disa portale qarkulloi lajmi se në orën 23:30 do të binte një tërmet shumë i fuqishëm. Ky lajm bëri që shumë banorë të Tiranës të dilnin në rrugë dhe në sheshe. Gjatë të hënës sizmiologët kanë qetësuar njerëzit ndërsa kanë bërë thirrje të mos u besojnë lajmeve të tilla pasi tërmetet janë dukuri natyrore që nuk parashikohen nga askush./realstory.al



Skip to toolbar