Rreth 617 kg kokainë e pastër janë sekuestruar nga policia braziliane, ndërkohë që sasia e madhe e drogës së fortë mendohet se ishte destinuar për në Shqipëri. Dyshimet mbi këtë fakt janë ngritur për shkak se në pakot e drogës, të zbuluara në një kamion ishte mbishkrimi “KF Elbasani”.
Operacioni për sekuestrimin e drogës u realizua në fillim të muajit shtator nga bashkëpunimi i Policisë Federale në Brazil dhe Qendrës së Inteligjencës Gefron.
Sipas mediave braziliane, sekuestrimi i 617 kg kokainë e pastër u bë pasditen e 1 shtatorit në zonën rurale të Brasnorte. Droga ishte fshehur në trupin e një kamioni brenda një prone private. Katër persona u arrestuan, megjithëse mediat italiane nuk i kanë publikuar emrat e tyre. “Ngarkesa është vlerësuar në 9 milion dollarë dhe ishte destinuar për Evropë”, deklaroi policia.
Policia, përveç drogës, kapi edhe një kamion bagëtish dhe dy automjete Fiat Uno që shërbenin si shoqërues të lëndës narkotike. “Kjo është kapja më e madhe e vitit dhe është një veprim i rëndësishëm sepse një sasi e madhe droge nuk do të tregtohet më. Edhe një herë, në mënyrë të integruar kemi arritur të parandalojmë që kjo drogë të arrijë në qendrat kryesore”, tha koordinatori i grupit, Lejtnant José Nildo de Oliveira, i cili gjithashtu theksoi se kokaina e pastër ka vlerë më të madhe tregtare sesa llojet e tjera të narkotikëve.
Shoferi i kamionit tha që do të merrte 10,000 dollarë për transportin e drogës. Pronari i fermës tha se do të merrte 2000 dollarë. Droga dhe të dyshuarit iu referuan Stacionit të Policisë Federale të Kanceres. Të tre burrat dhe një grua u arrestuan nga ky operacion dhe akuzohen për trafik ndërkombëtar të drogës. Megjithatë, policia nuk dha detaje se në cilin vend të Europës do të trafikohej kokaina e pastër. Por, nga fotot e publikuara vihet re një detaj i veçantë, ku rezulton se ato mbanin stemën e ekipit të futbollit të Elbasanit. Kjo ngre dyshime se droga ishte destinuar për në Shqipëri. Edhe më herët, grupe trafikantësh shqiptarë janë goditur për trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut në Shqipëri e më pas në vendet e Bashkimit Europian. / Realstory.al/