Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të futbollit ka dënuar Tiranën me 4 ndeshje pa tifozë dhe 500.000 lekë gjobë, për dështim të “përmbushjes së përgjegjësive për organizimin e ndeshjes kundër FK Partizani”.
‘KF “Tirana”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër FK “Partizani”, datë 29.09.2019, duke mos vlerësuar nivelin e riskut, duke mos garantuar zbatimin e ligjit, mbarëvajtjen e rregullit dhe qetësisës në stadium, si dhe për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke shfaqur materiale propoganduese me të cilat kryehen provokime me karakter politik dhe shoqëror, në bazë të Nenit 63/1/a,Nenit 63/1/b, Nenit 64/5, Nenit 65/3/a/b/c/d/e/f/h/j/k, dhe Nenit 65/4/b/ të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshje pa spektator në stadiumin përkatës si dhe gjobë në masën 500.000 (pesëqindmijë) lekë”, shkruan FSHF në vendimet e dhëna për klubin bardheblu.
Megjithatë, klubi bardheblu përfiton ulje të dënimit, pasi “në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, pezullimi i pjesshëm i këtij dënimi, duke urdhëruar shlyerjen e gjysmës së tij”, shkruan FSHF. Kështu, klubi bardheblu, do të vuajë vetëm gjysmën e dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Ndërkohë, Komisioni i Disiplinës Sportive urdhëron klubin bardheblu të mbyll sektorin G3 të “Selman Stërmasit” për grupin e tifozëve “Capital Crew”, ndërsa tetë tifozë përjashtohen përjetësisht nga futja në stadium.
“Urdhërimin e KF “Tirana”, të mbyll pjesërisht stadiumin”Selman Stërmasi” në sektorin G3, për sezonin futbollistik 2019/2020, duke ndaluar hyrjen në stadium të grupimit të tifozëve “Capital Crew”. Në bazë të Nenit 11/1/g të KDS, ndalimin e hyrjes përgjithmonë në çdo stadium ku organizohen aktivitete të FSHF të personave të mëposhtëm: Elton Bande, Alban Rexha, Getard Celiku, Mateos Majani, Aksel Manxhari, Thanas Bendo, Bledar Luga dhe Gentian Qosja”.
Por dënimit nuk i shpëtoi as Partizani. Klubi i kuq është dënuar me 2 ndeshje pa praninë e tifozëve dhe 100 lekë gjobë. “FK “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve të tij, në bazë të Nenit 65/2 të KDS, dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve vijuese pa spektator dhe gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lekë”, shkruan FSHF.