Sezoni turistik, 10 milion persona kaluan doganat

AKTUALITET


Drejtori i Departamentit të Kufirit, Eduart Merkaj, në një deklartë për mediat, u shpreh se në tre muajt e verës, nga pikat kufitare të vendit tonë hyn dhe dolën gati 10 milion shtetas shqiptarë dhe të huaj. “Për periudhën 1 qershor – 31 gusht janë përpunuar në hyrje-dalje në total 9 788  901 shtetas shqiptarë e të huaj si dhe 2 555 940 mjete”, tha Merkaj.

Ndërkohë, gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, janë kapur 7 288 emigrantë të parregullt, që tentuan të kalonin në Shqipëri. “Gjatë 9 mujorit janë kapur dhe përpunuar 7 288 imigrantë të parregullt, 37% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar ose 5.7% më shumë se sa gjithë viti 2018, kjo falë edhe mbështetjes së Operacionit të Agjencisë Europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, si dhe në kuadër të operacionit FRONTEX”, tha Merkaj.

Në bilancin e punës së Policisë Kufitare, Merkaj u shpreh se në 9 muaj më shumë se 10 mijë shtetasve shqiptarë, u është ndaluar hyrja e përkohshme në zonën Schengen. “Si rezultat i këtyre masave, gjatë periudhës janar – shtator, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar u është ndaluar përkohësisht udhëtimi drejt zonës Schengen 10 684 shtetasve shqiptarë ose 30% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndër të cilët 735 shtetas të mitur që nuk kanë plotësuar kriteret për të udhëtuar jashtë vendit”, tha Merkaj.

Ndërkohë, 1427 raste të paligjshmiërisë janë goditur gjatë 9 muajve të këtij viti, ndërsa sipas Eduart Merkaj, janë vënë në pranga 376 persona. “Janë kapur 376 persona në kërkim, janë identifikuar 285 raste të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara ose 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe janë sekuestruar 398 dokumente të falsifikuara ose 30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.

Ndërkohë, policia kufitare procedoi penalisht 819 persona në 9 muaj, të cilët tentuan të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin e gjelbërt. Një tjetër statistikë, është ajo e goditjes së rasteve të trafikimit të femrave për prostitucion. Sipas Eduart Merkaj, gjatë 9 mujorit të këtij viti, janë realizuar 5 operacione të goditjes së trafikut të femrave për shfrytëzim prostitucionit.

Policia Kufitare gjatë gjithë sezonit ka qenë e angazhuar në ndihmë të pushuesve duke dhënë ndihmë në 111 raste, ndaj 82 mjeteve lundruese në det në raste emergjente me një numër prej 259 personash në bord dhe janë parandaluar nga patrullat e policisë kufitare 5 raste konflikti mes pushuesve.



Skip to toolbar