Fotoja Rama-Obama, PD: Prokuroria të nisë hetimet

AKTUALITET


Pas dënimit nga gjykata Amerikane të shtetasit William Argeros, i cili ka deklaruar në gjyq se ka paguar 80 mijë dollarë për fushatën e Obamës në SHBA për llogari të kryeministrit shqiptar, ka reaguar Partia Demokratike.

PD i kërkon prokurorisë të nisë hetimet për pagesën e 80 mijë dollarëve të paguar nga Edi Rama për foton me Presidentin e SHBA, Barack Obama në vitin 2012. Kërkesa e PD-së i është dërguar prokurorisë pas vendimit të gjykatës amerikane për të dënuar me burg William Argeros, shtetas amerikan, që ka paguar 80 mijë usd për llogari të Edi Ramës.


Në kërkesën e saj PD i referohet deklaratës së bërë në gjyq nga avokati i William Argeros. PD citon artikullin e publikuar nga Zëri i Amerikës ku shkruhej se “klienti i tij ka vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama. Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë”.

Sipas PD-së, “shuma prej 80 mijë USD vjen nga një burim i paligjshëm dhe nuk është deklaruar as nga Edi Rama dhe as nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Prokuroria shqiptare, bazuar në këtë rrethanë të re, të bërë publike nga “Zëri i Amerikës”, ka detyrimin që të nisë menjëherë procedimin penal, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve për burimin e financimit prej 80 mijë usd që Edi Rama ka paguar dhe nuk i ka deklaruar”.

Vetë zëdhënësi i Ramës, Endri Fuga i pyetur për këto akuza tha se “janë përgojime që nuk meritojnë asnjë koment”./realstory.al




Skip to toolbar