Pas tërmetit, qeveria: Asnjë leje ndërtimi pa bërë sigurimin

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama prezantoi të mërkurën vendimet e marra nga qeveria për situatën e krijuar pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin disa javë më herët. Rama tha se është vënë në dispozicion të familjeve të prekura nga tërmeti fondi i emergjencave civile prej 6 milionë dollarësh. Ai tha se qeveria do të zerojë borxhet që këto familje kanë ndaj shtetit, siç janë faturat e energjisë dhe të uijit, ndërsa deklaroi se vendimi më i rëndësishëm i qeverisë është detyrimi i kompanive të ndërtimit që të lidhin një kontratë sigurimi me blerësit e apartameneteve në mënyrë që të marrin përsipër pagesën e dëmeve në raste të ngjashme si ai i tërmetit të 21 shtatorit.

“6 milionë dollarë janë vënë në dispozicion për emergjencat e tërmetit. Por kjo është një shifër bazë sepse kostot janë më të larta. Ata që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti, ne marrim përsipër që t’ua ndërtojmë nga fillimi. Nuk do të ketë lojëra me para nëpër duar. Ata që duan ta ndërojmë vetë shtëpinë sepse e duan më të bukur më të madhe, ne i krijojmë mundësinë që të mos pagujanë asnjë taksë ndaj shtetit”, tha Rama.


Ai tha se pallatet e krijuara pas viteve 90 e kaluan testin e ndërtimit pas rezultuan të fortë. Por kushti i ri për kompanitë e ndërtimit është kontrata e sigurimit që duhet të lidhin me blerësin. Rama theksoi se ky është një kusht që e ka e gjithë bota.

“Kemi marrë një vendim me impakt afatgjatë, që parashikon masa detyruese për ndërtuesit për të lidhur një kontratë sigurimi me një afat dhjetëvjeçar me blerësit e apartamenteve, që mbulojnë dëmet për një afat trevjeçar ndaj të tretëve, kur ndërtimi shembet tërësisht apo paraqit defekte serioze. Nuk do të jepen më leje ndërtimi pa policën e sigurimit, që duhet ta kenë projektuesit dhe ndërtuesit dhe gjithashtu detyrimin e kompanive të sigurimit që të garantojnë mbulimin e dëmit”, tha Rama. Ndërsa shtoi se, ky është një propozim i vjetër i tij, për të cilin thotë se aktualisht ka gjetur konsensus. Sipas Ramës, polica e sigurimit duhet të jetë pjesë e dosjes së kompanisë që kërkon leje ndërtimi.

“Nuk do të jepet më leje ndërtimi pa policën e sigurimit që duhet ta disponojnë që në fillim arkitektët dhe grupet e projektimit, që duhet ta depozitojë investitore apo kërkuesi i lejes në dosjes kur kërkon lejen, dhe detyrimin për kompanitë e sigurimit, që të garantojnë zbatimin e saktë dhe pa shkelje të lejes. Është një element që më në fund gjen konsensus. E kam propozuar shumë vite më parë, ka hasur gjithmonë rezistencë. Nuk mund të kontrollohen dot godinat e ndërtuara për qëllime fitimi, pra flasim për pallate dhe godina me karakter biznesi, apo hotele. Do të futet mekanizmi i vetëkontrollit përmes marrëdhënies me kompaninë e sigurimit. Ajo do të marrë përsipër të garantojë blerësin dhe autoritetin që ka dhënë lejen, se godina përputhet me atë që është dhënë leja. Në të kundërt do të shkojnë përpara ligjit të dyja palët. Është refuzuar në vijimësi të merren masa ligjore dhe janë marrë rryshfete për ndërtues që kanë abuzuar haptazi dhe duhej të ishin subjekt penal. Me futjen e kompanisë së sigurimit nuk do të ketë më asnjë biznes mashtrues, ku qytetarët nuk hipotekojnë dot apartamentin se zotëria që ka marrë lekët i ka lënë një pronë me barrë se është në shkelje. Nga ky moment besojmë se futja e këtij elementi do të garantojë siguri, dhe do të garantojë të gjithë blerësit e apartamenteve apo njësive tregtare, është shprehur Rama.

Kryeministri gjithashtu bëri të ditur se do të bëhet një audit për të gjitha objektet që kanë 50 vjet që janë ndërtuar ndërsa do të merren masa edhe për inspektimin e gjendjes së ashensorëve.

“Projektligji përcakton se institutet shtetërore dhe ente të tjera do të kryejnë oponencën teknike mbi çdo godinë publike apo private me akses publik, pavarësisht nga vlera e investimit. Ndërsa do të ketë një audit publik për objektet që kanë mbi 50 vite. E vërteta është se goditja sizmike nuk ka dhënë impakt në godinat e reja.  Edhe unë kam pasur dyshim se në gjithë zhvillimet e fundit të këtyre 30 viteve, do të kishim vulnerabilitet të konsiderueshëm në rast të një tërmeti. Për fat të mirë, godinat kanë kaluar një test me sukses, sepse të gjitha dëmet janë regjistruar në godina të vjetra, apo në shtesa të godinave të vjetra, apo një grup godinash të viteve ’90.

Ndër masat e tjera të marra është përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për të gjithë investimet mbi banesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit. Ndërsa do të kryhet një inspektim i të gjithë ashensorëve, për të siguruar që ata plotësojnë kriteret dhe nuk janë të impaktuar teknikisht pas tërmetit”, tha Kryeministri.

Me rëndësi për familjet e prekura nga tërmeti është edhe vendimi i qeverisë që u zeron atyre pagesën e faturave të energjisë dhe të ujit.

“OSHEE dhe Ujësjellësi do të marrin vendime për të zeruar detyrimin e familjeve të dëmtuara që janë në kushte pabanueshmërie, që do të thotë se për të gjithë ato familje do të zerohen të gjitha borxhet dhe do të subvencionohet 100 përqind tarifa që paguhet edhe kur t’i nuk je në banesë. Ky është një lehtësim dhe shprehje solidariteti me ato familje që u prekën seriozisht nga tërmeti dhe duhet të bëjnë durim deri kur mund të futen në shtëpinë e rindërtuar”, tha Rama./realstory.al




Skip to toolbar