Pompeo mbron qasjen e Trump ndaj Ukrainës

AKTUALITET


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo mbrojti qasjen e administratës Trump ndaj Ukrainës që është në qendër të një hetimi të Kongresit për shkarkimin e presidentit.

Ai hodhi poshtë akuzat se ishte një sjellje e papërshtatshme ose në rastin më të keq një abuzim i paligjshëm i pushtetit për të cilin Kongresi kërkon largimin e Presidentit Trump nga detyra.

Sekretari Pompeo e kritikoi hetimin e Kongresit si “qartësisht politik” dhe tha se veprimet e Departamentit të Shtetit synonin thjesht përmirësimin e marrëdhënieve me qeverinë e re të Ukrainës që filloi detyrën në pranverë. Ai tha gjithashtu se puna e ish të dërguarit të posaçëm në Ukrainë, Kurt Volker, bazohej në direktivat e presidentit.

Sekretari Pompeo tha se Departamenti i Shtetit “do të bëjë” të gjitha detyrimet e kërkuara me ligj” në përgjigje të një kërkese të Kongresit për dokumentet në lidhje me Ukrainën.

Demokratët kërkojnë dokumentat nga Shtëpia e Bardhë

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë dërguar një kërkesë ligjore në Shtëpinë e Bardhë për dokumente që lidhen me hetimin e tyre për të nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Krerët e tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve thanë në një deklaratë të premten se kërkesa ligjore është e domosdoshme pasi Shtëpia e Bardhë “refuzoi të angazhohej – ose t’i përgjigjej – kërkesave të shumta për dokumente nga komisionet tona në baza vullnetare.”

Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve gjithashtu i dërguan një kërkesë të veçantë për dokumente nënpresidentit Mike Pence në lidhje me kontaktet e tij me Ukrainën, duke përmendur njoftimet se një ndihmës i zotit Pence mund të ketë dëgjuar thirrjen telefonike të korrikut mes Presidentit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy që është në qendër të hetimit.

Më herët të premten, Presidenti Trump pohoi se ai ka detyrën kushtetuese për të luftuar korrupsionin, duke u munduar të shpjegojë kërkesat e tij drejtuar qeverive të huaja për të hetuar kundërshtarët e tij politikë./VOA/



Skip to toolbar