Dako, Llalla e Doshi “non grata”, Pompeo mesazh zyrtarëve të korruptuar

AKTUALITET


Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo bëri një deklaratë në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit. Pompeo shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës riafirmojnë angazhimin për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin globalisht.

“Korrupsioni pengon rritjen dhe zhvillimin ekonomik, lehtëson krimin transnacional dhe ushqen terrorizmin. Korrupsioni mundëson dhe mban udhëheqësit autokratikë, dobëson besimin në sistemet demokratike, krijon mundësi që aktorët grabitqarë të përfitojnë nga partnerët tanë. Krijon gjithashtu kriza politike dhe sfida qeverisjeje që rrezikojnë sigurinë tonë kombëtare”, thotë Pompeo.


Më tej, në deklaratën e tij, Sekretari Pompeo shprehet se DASH gjatë këtij viti u ndaloi hyrjen në SHBA të paktën 40 zyrtarëve publikë dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre, për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm. “Ne do të vazhdojmë të përdorim autoritet globalisht për të parandaluar zyrtarët e korruptuar të qeverive të huaja dhe anëtarët e familjeve të tyre të udhëtojnë dhe të shpenzojnë fitimet e tyre në Shtetet e Bashkuara”, thotë Sekretari Amerikan i Shtetit.

Në listën e gjatë të DASH, janë dhe 3 ish zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për deputetin Tom Doshi, ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Së bashku me këta 3 ish-zyrtarë, u ndalohet hyrja në Amerikë edhe familjarëve të tyre të ngushtë.




Skip to toolbar