Schengen ballkanik, Ukshini: Kosova nuk ka pasur ftesë, por nuk bëhemi pengesë

AKTUALITET


Kosova nuk ka pasur asnjë ftesë për nismën e ndërmarrë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut për krijimin e një Schengen Ballkanik. Këtë konfirmim e ka dhënë i ngarkuari me punë i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini në emisionin Real Story të Sokol Ballës në News 24.

“Si ide, si koncept, është e dobishme për të gjitha vendet e rajonit, por kjo nuk mund të bëhet pa të gjashtë vendet. Unë kam biseduar më kryeministrin e Kosovës në detyrë dhe dua të theksoj se Kosova nuk ka pasur asnjë ftesë dhe prandaj nuk ka pasur asnjë qëndrim. Ky është një proces që nuk mund të bëhet i pjesshëm”, deklaroi Ukshini. Megjithatë, duke komentuar deklaratat e Vetëvendosjes, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme dhe pritet të krijojë qeverinë e re, se kjo nismë mund të fuqizojë Serbinë dhe se nuk  mund të realizohet edhe pa Kroacinë e Hungarinë, diplomati Ukshini nuk mendon që Kosova do të rreshtohet si vend që pengon procesin e bashkëpunimit rajonal. “Ata që përfitojnë më shumë nga ky bashkëpunim, janë shqiptarët”, tha Ukshini, duke hedhur poshtë deklaratat e Vetëvendosjes.

Këtij qëndrimi i qëndron edhe gazetari Aleksandër Furxhi, i cili tha se ky format i sotëm nuk është i plotë në gjashtëshen e rajonit, por mund të jetë fillimi. “Kjo nuk do të thotë se është e sigurtë që do të jetë trajektorja. Një rajon që deri para 20 vitesh luftoi të arrijë suksesin në një ditë është e pabesueshme. Nëse trajektorja është që nga tre të bëhen gjashtë është nismë pozitive”, tha Furxhi.

Ndërsa gazetari Arion Sulo është shprehur se Mini Shengen ballkanik është i pavlerë përballë dështimit të negociatave, nëse Franca do bllokojë ato dhe e dyta pa Kosovën është e keqe për të gjithë shqiptarët.

Kurse Arben Malaj deklaroi se ky proces nuk është diçka e re. “Të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e CEFTA. Tjetër është që të kemi liri mallrash e liri lëvizjeje. Në këtë aspekt, duhet mbështetur, pavarësisht nga politikani që merr iniciativën. Ne nuk kemi rrugë tjetër për rajonin që e shkuara të lihet pas dhe të shikohet nga e ardhmja.”, deklaroi Malaj.



Skip to toolbar