Takimi Merkel-Macron shihet si mundësia e vetme që kancelarja gjermane të arrijë të bind Francën skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pasi Gjermania ka dhënë “po” e saj për të dy vendet, Franca duket se kërkon ta shtyjë vendimin edhe me një vit, pasi për të BE nuk është ende gati për të kryer një proces tjetër zgjerimi. Pak orë para nisjes së kancelares në Francë, Merkel deklaroi se marrëdhëniet franko-gjermane do të vazhdojnë të forcohen, si në marrëdhënien dypalëshe edhe në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Kjo duket si një shenjë pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke shpresuar se Merkel do të arrijë të bindë presidentin Macron të japi “po” për zgjerimin e BE-së.
“Në marrëdhëniet dypalëshe si dhe në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, Gjermania dhe Franca punojnë ngushtë dhe duan që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen. Pas nënshkrimit të traktatit Aachen, bashkëpunimi ynë duhet të bëhet akoma më i fortë”, deklaroi Merkel.
Takimi i kancelares në Francë nis të dielën, ndërsa pritet të zhvillojë një takim të gjatë me Presidentin Macron. Më datat 17 dhe 18 tetor do të vendoset për hapjen apo jo të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.