Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar miqësinë historike mes shqiptarëve dhe SHBA-së, në fjalën e mbajtur në konferencën “Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor”, ndërsa nuk ka kursyer kritikat për BE-në duke thënë se “nuk është hera e parë që BE nuk mban fjalën për Shqipërinë”. Sipas Ramës SHBA ka dhënë një ndihmesë të vyer ndër vite në vendosjen e paqes në Ballkan, ndërsa BE përmes vendimit të fundit për mos dhënien e një përgjigje pozitive për negociatat po bëhet e pabesueshme dhe po humbet pozicionin dhe ndikimin e saj në rajon. Rama e kritikoi BE-në edhe për faktin që ende nuk ka liberalizuar vizat për shtetasit e Kosovës.
“Nuk them ndonjë gjë të paditur nëse theksoj që pas vendimit të KE në 18 tetor, pozicioni i BE është dobësuar tej mase dhe kapaciteti i BE për të ndikuar në procesin e dialogut është tkurrur tej mase se BE me vendimin e marrë, që rezultoi në fund të një debat të nxehtë mes veti, i dha një goditje jo të vogël besueshmërisë së vetë dhe do të jetë e vështirë për të dyja palët që të besojnë në mundësinë e incentivave që mund të deklarohen, por faktikisht mund të mos mbahen. Nuk është hera e parë, që BE nuk mban fjalën dhe në rastin e Kosovës besoj se kemi një nga shembujt flagrant të mungesës së kapacitetit për të mbajtur fjalën. Nuk është një shtet por tërësi shtetesh që funksionon në bazë të konsensusit, se një të kundërvihet dhe të gjithë vihen në pozitë të vështirë. Kushtëzim absurd, që u mor në konsideratë dhe u adresua të liberalizimit të vizave për Kosovën pas kryerjes së marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Rast unikal dhe ndërkohë që nga viti 2014 BE ka liberalizuar vizat për 100 mln njerëz, marrja peng e 2 mln shqiptarëve deri në pikën e transformimit të një vendi të çliruar nga fuqitë e mëdha evropiane në aleancë me SHBA, tejkalon kufirin e çdo absurdi. Pengmarrje që reflekton mungesën e një kohezioni dhe kapaciteti për të vepruar në unison dhe rënien e gjithë familjes evropiane në vazhdimësi në grackën e një vendi apo tjetër që për arsye të ndryshme imponon moskonsensusin”, u shpreh Rama në konferencën ku ishte e pranishme e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones.
Sipas Ramës, shqiptarët sot janë më mirë në Rajon falë miqësisë dhe mbështjes së SHBA-së.
“Shqiptarët jo vetëm nuk janë vetëm, por se janë në shoqerinë më të mirë të mundshme, e nëse sot në rajonin tonë shqiptarët janë më mirë se asnjëherë tjetër krahasuar me të shkuarën e vështirë të kombit tonë, kjo në radhë të parë mund të thuhet pa frikë se i dedikohet kësaj marrëdhënie speciale me SHBA dhe qasjes së SHBA ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetë rajonit. Kam vënë re që shumëkush ndër miqtë dhe partnerët tanë në gjithë nivelet, edhe të zakonshëm edhe në njerëz më pak të zakonshëm e shikojnë këtë marrëdhënie si një shprehje deri diku naive të kuptimit tonë për botën dhe jo rrallë më ka ndodhur që të ndesh buzëqeshje të keqardhur për këtë përkushtim që kemi si popull ndaj SHBA-së. Është shumë e vështirë të kuptohet nga të tjerët pse-ja e kësaj marrëdhënie që padiskutim është e lidhur thellë edhe më atë që ne kemi jetuar si komb në shumë faza të historisë, por edhe që kemi përjetuar si popull në vend dhe Kosovë në periudhën e parë të jetës sonë si bashkëkohës, që sot e jetojmë ende historinë e hapësirën shqiptare”, është shprehur Rama.
Ai vlerësoi rolin që SHBA ka luajtur në vendosjen e paqes në rajonin e Ballkanit duke thënë se është meritë e SHBA që sot Ballkani Perëndimor është një vend më i mirë. Por gjithsesi Rama theksoi se Ballkani është larg zgjidhjes përfundimtare të paqes nëse ende nuk ka një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës
“Padiskutim këto kanë ndikuar thelbësisht në vetëdijen tonë, ashtu si nëse sot Ballkani Perëndimor është një vend më i mirë i dedikohet SHBA-së dhe besoj se Ballkani Perëndimor është pasqyra ndoshta e suksesit më rrezatues të politikës së jashtme amerikane qe pas fundit të luftës së ftohtë. Pasqyrë ku historia e përmbledhur e viteve që i kemi jetuar si dëshmitarë okularë nisi praktikisht me një konflikt të madh, pastaj u shkua në bomba e nga bombat jemi në kushtet kur flasim për intensifikim të bashkëpunimin rajonale. Edhe pse padiskutim jemi larg zgjidhjes përfundimtare të paqes përsa kohë nuk ka zgjidhje përfundimtare të konfliktit të trashëguar mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Rama.