Vijon riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga vendet e Bashkimit Europian. Të dielën u riatdhesuan 36 shtetas shqiptarë, të cilëve u ishte refuzuar kërkesa për azil në Francë dhe Belgjikë.
Sipas Policisë së Shtetit, këta shtetas kishin kërkuar azil, por kërkesa ishte refuzuar nga Franca dhe Belgjika, dy vendet nga u riatdhesuan 36 shqiptarët.
Gjithashtu, disa nga shtetasit e riatdhesuar kishin shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së, duke i rikthyer në Shqipëri.
Ndërkohë, Policia Kufitare ka forcuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe ka shtuar patrullat në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero.