Partizani rikthehet në krye të Superligës, pasi mundi 2-0 Luftëtarin mbrëmjen e të dielës. Skuadra e drejtuar nga Franko Lerda, ndonëse pati vështirësi në pjesën e parë, mbylli gjithçka në të dytën duke marrë tre pikët nga përballja në “Selman Stërmasi”.
Ndeshja mund të kishte pasur histori tjetër, nëse Alban Hoxha nuk do të kishte pritur një penallti të Luftëtarit, kur rezultati ishte ende 0-0. Portieri i të kuqve u dha mundësinë të tijëve të luftonin për fitore, duke ruajtur rrjetën e paprekur.
Kështu, Çinari shënoi në të 53` duke kaluar në avantazh skuadrën e tij, ndërsa Asani dyfishoi me një gol nga pika e bardhë e penalltisë në të 56`. Partizani e sheh veten në vendin e parë me 21 pikë pas javës së 11-t të kampionatit, ndërsa lë pas Tiranën dhe Kukësin që ndajnë vendin e dytë dhe të tretë me 18 pikë.
Ndërkohë, humbja e të dielës, i vështirëson dhe më shumë llogaritë e Luftëtarit për Mbijetesë. Skuadra gjirokastrite mbetet në vendin e parafundit me 6 pikë, 8 më pak se Skënderbeu që ndodhet një vend sipër tyre.