Një bandë e trafikut të drogës që drejtohet nga dy vëllezër shqiptarë është shkatërruar pas dy muajsh hetimet nga policia italiane. Banda që drejtohej nga vëllezërit shqiptar furnizonte tregun në Italinë qendrore-veriore. Gjatë aksionit u arrestuan 18 persona dhe u sekuestruan 20 kg kokainë me vlerë 2.5 milionë euro. Mes të arrestuarve ishin edhe dy vëllezërit me iniciale G.I., 25 vjeç dhe K.I., 21 vjeç, banues në komunën Fiesole, në provincën e Firences, ku ishte edhe baza logjistike e gjithë bandës kriminale.
Zbulimi i këtij grupi që trafikonte drogë nga Holanda e Belgjika në veri të Italisë, nisi që me arrestimin e një çifti shqiptarësh në qershor të 2019, ku u kapën me gjysmë kilogrami kokainë në provincën e Breshës. Gjatë hetimeve, policia italiane zbuloi edhe bandën dhe skemën me të cilën ajo funksiononte. Një javë më parë, u arrestuan edhe dy shtetasit italianë, të cilët ishin edhe korrierë të drogës, të moshave 50 dhe 51 vjeç. Në mjetin e tyre tip Nisan Qashqai, u sekuestruan 11 kg kokainë me vlerë tregu 800 mijë euro, 1 kg marijuanë e 20 mijë euro cash.
Ndërsa gjatë operacioni të së martës u sekuestruan edhe 20 kg kokainë me vlerë 2.5 milionë euro, si dhe u arrestuan anëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal. Droga transportohej me automjete të modifikuara me anë të dy korrierëve italianë dhe më pas magazinohej në qytezën e Fiesolas. Më pas droga shpërndahej në tregjet e shitjes në territoret e Bergamos, Ferraras, Venezias, Monza e Bolzano.