KED rrëzon Metën: Vorpsi, anëtare e Kushtetueses

AKTUALITET


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka marrë në konsideratë pezullimin e kërkuar nga kreu i shtetit, Ilir Meta për procesin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. KED ka publikuar në fletoren zyrtare renditjen sipas pikëve të gjyqtarëve kandidatë për Gjykatën Kushtetuese në përfundim të afatit 30 ditor që kishte Presidenti i Republikës për të përzgjedhur një nga tre të parët, duke zgjedhur kështu automatikisht si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsin.

Vorpsi zgjidhet automatikisht sipas ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili shprehet se nëse Presidenti nuk zgjedh një nga tre kandidatët e renditur të parët brenda një afati 30 ditor, atëherë zgjidhet automatikisht ai që është renditur i pari. Kreu i shtetit tentoi të pezullojë këtë proces, duke kërkuar që më parë të zgjidhte Kuvendi anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, duke qenë se vakanca e dytë ishte shpallur prej tyre dhe emërimi të bëhej para se Meta të zgjidhte anëtarin e Kushtetueses për vakancën e tretë, por ky argument duket se nuk e ka bindur Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, i cili ditën e shtunë, pikërisht një muaj pas shpalljes së listës me kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, e ka publikuar këtë listë në fletoren zyrtare. Sipas njoftimit të bërë në fletoren zyrtare, ky vendim hyn në fuqi që sot.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shpallur të parën në listë këshilltaren ligjore në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsin, e cila është vlerësuar me 89.642 pikë, ndërsa më pas lista vijon me Fiona Papajorgji me 88.785 pikë, Elsa Toska me 85.428 pikë dhe Marsida Xhaferllari me 82.000 pikë.

Tashmë, kur janë zgjedhur dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i mbetet Kuvendit të zgjedhë dy të mbeturit, konkretisht Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska, të cilat janë renditur në tre të parët në dy listat e dërguara në Kuvend, bashkë me Arta Vorpsin që u zgjodh automatikisht dhe Besnik Muçin që u zgjodh nga Meta. Ndërsa Marsida Xhaferllari mbetet thuajse jashtë gare, pasi ajo është renditur e katërta në të dyja listat dhe sipas ligjit, nuk futet në përllogaritje. Kjo e fundit njihet e afërt me Partinë Demokratike dhe siç duket kjo ka qenë një lojë e Metës që me përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të fuste në listë edhe Xhaferllarin, me pretendimin e mbetjes së vendeve bosh në tre të parët.

Gjithsesi, tentativat e kreut të shtetit janë rrëzuar nga KED dhe tashmë Presidentit Meta i mbetet vetëm t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çdo pretendim që mund të ketë për cenim të së drejtës së tij, gjykatë e cila do të përbëhet pikërisht nga këta gjyqtarë që po dalin pas implementimit të reformës në drejtësi.



Skip to toolbar