I ftuar në Real Story, deputeti socialist Erion Braçe kritikoi raportin mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se organet e drejtësisë duhet të ruajnë pavarësinë dhe distancën nga partitë politike.
Sipas tij, krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë ka qenë rezultat i vullnetit politik të shumicës, ndërsa shtoi se çdo përpjekje e politikës për t’u afruar me këto institucione duhet refuzuar nga vetë organet e drejtësisë.
Braçe komentoi edhe opozitën, për të cilën u shpreh se nuk i sjell më asnjë interes politik apo publik.
“Organet e qeverisjes së drejtësisë, qoftë prokurori apo gjykatësi, janë zgjedhur në mënyra të ndryshme. Ka qenë vullneti politik i shumicës sonë që të kemi institucione të tilla. Ne kemi mbajtur distancë, këtë duhet ta bëjnë të gjithë. Nëse partitë synojnë të afrohen, institucionet duhet t’i mbajnë larg dhe të mbajnë qëndrim.
Është një në Parlament që bërtet sa i del zëri, flet në emër të ndërkombëtarëve dhe institucioneve të drejtësisë, kësaj t’i vendoset fre. Kur bën një punë ka elementë që mund të mos jenë të duhurit, unë besoj tek vetërregullimi.
Në anën tjetër, jemi në vlerësimin që qytetarët t’i bëjnë sistemit të drejtësisë. Juridiksioni i përgjithshëm duhet t’i japë zgjidhje malit të dosjeve që janë atje dhe t’i adresojë për qytetarët.
Kam kohë që nuk e kam në vëmendje opozitën, nuk më vjen asgjë e re prej tyre dhe nuk jam i prirur t’i dëgjoj. Kur s’më krijon asnjë lloj impakti s’kam pse t’i dëgjoj, është njësoj si të shohësh një ndeshje, si p.sh. të Arsenalit, se janë të mërzitshme.”
