Kushtetuesja, sot votohen në Kuvend dy anëtarët e rinj

AKTUALITET


Kuvendi do të votojë të hënën (11.11.2019) dy emrat e rinj të Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar vakancat e shpallura më parë. Për vakancën e datës 12 shkurt 2018, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dërgoi në Kuvend një listë me 3 kandidatë. Arta Vorpsi me 89.6 pikë, Elsa Toska me 85.4 pikë dhe Besnik Muçi me 81.9 pikë.

Megjithatë, të tre këto kandidatura kishin aplikuar dhe për vakancat e Presidentit të Republikës, ku tashmë Arta Vorpsi dhe Besnik Muçi janë përzgjedhur si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, në listën që sot Kuvendi ka për miratim, mbetet vetëm një kandidate, Elsa Toska, e cila ishte renditur e dyta nga KED me 85.4 pikë. Për t`u emëruar në Gjykatën Kushtetuese do të duhen 84 vota.

Ndërkohë, në pikën 6 të rendit të ditës në seancën plenare, do të shqyrtohet  vakanca tjetër e Gjykatës Kushtetuese e shpallur në datën 4 mars të vitit 2019. Edhe për këtë vakancë kishin kandiduar tre magjistratë, Arta Vorpsi me 89.6 pikë, Fiona Papajorgji me 88.7 pikë dhe Elsa Toska me 85.4 pikë.

Praktikisht, duke qenë se Arta Vorpsi është emëruar tashmë anëtare e Kushtetueses, dhe Elsa Toska shqyrtohet në pikën 5 të rendit të ditës për zgjedhjen si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, në listë mbetet vetëm Fiona Papajorgji për t`u hedhur në votim.

Në të dyja rastet do të duhet që të votohet me 84 vota për të bërë emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Nëse këtë të hënë do të zgjidhen dy anëtar të Gjykatës Kushtetuese në Kuvend, numri i anëtarëve të kësaj gjykate shkon në pesë; Vitore Tusha, Besnik Muçi, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. /Realstory.al/



Skip to toolbar