‘Kërkon të bllokojë Kushtetuesen’, deputetja e PS akuza Metës: Bëri një veprim që si takon

POLITIKË


Deputetja e Partisë Socialiste Klodilda Ferhati e cilësoi manovrën e presidentit Meta për të pezulluar procesin e emërimit të anëtarit të dytë për Gjykatën Kushtetuese, si një veprim antikushtetues, që nuk i takon askujt ta bëj. Ferhati tha se as Presidenti dhe as Kuvendi nuk mund të pezullojnë procedurën e emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese sepse ndodhen para një procedure Kushtetuese që vetzbatohet me përfundimin e afatit 30 ditor të vendosur. Madje deputetja socialiste tha për Abc News se as vetë Gjykata Kushtetuese që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, nuk pezullon Kushtetutën.

Presidenti ka tentuar të bëjë një veprim, që nuk ka të drejtë ta bëj askush, të pezullojë Kushtetutën?! As Presidenti dhe as Kuvendi nuk mund të pezullojnë procedurën e emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese sepse jemi përpara një procedure kushtetuese të lidhur me një afat prekluziv 30 ditor të parashikuar në ligj. Kushtetuta është e vetzbatueshme. As Gjykata Kushtetuese si autoriteti që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, nuk pezullon Kushtetutën. Nëse me mbarimin e këtij afati dy organet nuk shprehen kandidati i listuar i pari, emërohet anëtar i Kushtetueses. Afati 30 ditor është prekluziv që do të thotë se ai nuk mund të shtyhet e as të ndërpritet.” tha Ferhati


Në lidhje me arsyetimin e Presidentit se pas tij duhet të zgjedhë Kuvendi e më pas Gjykata e Lartë, Klodilda Ferhati e cilësoi si interpretim të gabuar të Kushtetutës. Deputetja sqaroi se radha nuk ka të bëjë me zgjedhjen e sa anëtarëve, por të përcaktojë se kush organ ka radhën për të zgjedhur në mënyrë që të mos ketë përplasje për vakancën e krijuar. Ferhati tha se rëndësi ka që secili organ të plotësojë vendin që i takon duke zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht sa anëtarë ka për të zgjedhur. Ajo sqaroi se kjo tentativë e Metës më shumë tingëllon si një mënyrë për të bllokuar procesin, por që Kushtetuta ka përcaktuar qartë radhën e organeve që të mos konfliktohen me njëri tjetrin se kush plotëson vendin vakant dhe ka vendosur një afat kohor në dispozicion pikërisht për të shmangur këtë bllokim.

Ky është një interpretim i gabuar i Kushtetutës dhe ligjeve të zbatueshme në rastin konkret për arsye se: Së pari: Radha e përcaktuar në Kushtetutë, synon të qartësojë organin përkatës që ka kompetencën të caktojë anëtarin e Gjykatës Kushtetuese për vakancën që krijohet herë pas here. Pra qëllimi i dispozitës është të përcaktojë organin që vendos anëtarin e Gjykatës Kushtetuese kur anëtarit të mëparshëm i ka mbaruar afati, në mënyrë që mos ketë konflikt mes institucioneve që kanë të drejtë të zgjedhin anëtarin e Kushtetueses sa herë ka një vakancë. Pra me pak fjale kushtetuta disiplinon kush është organi që zgjedh kë anëtar. Ne jemi para rastit kur janë krijuar njëkohësisht më shumë se 6 vakanca në Gjykatën Kushtetuese që duhen plotësuar nga Kuvendi 3 dhe nga Presidenti 3. Kushtetuta dhe Ligji nuk ka parashikim specifik kur krijohen më shumë se një vakancë në Gjykatën Kushtetuese. Për të qenë korrekt me Kushtetutën dhe ligjin sa i takon radhës është që vakancat, pra vendet e mbetura bosh që duhen emëruar/plotësuar sipas procedurave nga Presidenti mos te plotësohen nga Kuvendi e anasjelltas. Duke qene se janë 4 vakanca në proces për tu plotësuar me akt nga presidenti (2) e nga kuvendi (2) si presidenti ashtu dhe kuvendi duhet që brenda afatit 30 ditor kur janë njoftuar nga KED dhe kjo s’ka asnjë detyrim të lidhur me radhën. Rëndësi ka qe secili organ të plotësojë vendin që i takon duke zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Së dyti: Koncepti “radhë” sipas Kushtetutës është vetëm “kompetencë” për të ditur se cili vend vakant zëvendësohet dhe nga cili organ dhe nuk është kohë se kur do e ushtrojë kompetencën. Radha nuk është kohë. Pra, Kushtetuta ka përcaktuar qartësisht radhën ndërmjet tre organeve, me qellim që të mos konfrontohen me njëri tjetrin, për të njëjtin vend vakant. Ndaj pretendimi i radhës me shumë ngjan me një tentativë për bllokimin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese .” tha Ferhati

Deputetja tha se tashmë dy emërimet nga Presidenti janë bërë, një Besnik Muçi që e zgjodhi dhe një Arta Vorpsi, që u zgjodh automatikisht me mbarimin e afatit kohor prej 30 ditësh. Ferhati tha se ky mekanizëm bëhet në mënyrë që të mos ketë bllokim të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.

Thënë këto, dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që ishin në kompetencë zgjedhje të Presidentit janë emëruar tashme. I pari z. Besnik Muci sipas dekretit të presidentit të para disa ditëve dhe znj. Arta Vorpsi listuar e para në vendimin e KED e cila konsiderohet e emëruar si anëtare e Kushtetuese në dt 7.11.2019, në kushtet kur presidenti nuk e ushtroi kompetencën e tij të zgjedhjes së anëtarit deri në skadim të afatit 30 ditor. E gjithë kjo është në kuadër të mekanizimit zhbllokues që ka pasur si synim kryesor Kushtetuta dhe ligjet e reformës në drejtësi. Në fakt të gjitha, ligjet e Reformës në Drejtësi janë hartuar pikërisht për të evituar situatat që krijojnë ngërçe, si kjo aktualja.” tha Ferhati.




Skip to toolbar