S’e takon në Ohër, e takon në Paris

#NËRADAR


Deklaroi se nuk shkoi në Ohër, sepse Serbia nuk e njihte Kosovën, por për dy ditë, Hashim Thaçi ka ndryshuar mendje.

Presidenti i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të martën në Paris me ndërmjetësimin e presidentit francez Macron, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë, Thaçi refuzoi të takohej me Vuçiç në Samitin e Ohrit, pas ftesës së kryeministrit Rama, me pretendimin se Kosova s’mund të jetë pjesë e samiteve, ku marrin pjesë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë.

Të martën, në Samitin e Paqes, Thaçi pranoi ftesën dhe dorën e Macron për t’u takuar me Vuçiç, pra duke refuzuar Ramën dhe pranuar pikërisht ftesën e atij që vetëm një muaj më parë nuk lejoi që popullit të Kosovës t’i liberalizohen vizat. Në momentin që hyri nga dera e Macron, Presidenti i Kosovës “harroi” se Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e saj.

Kohët e fundit Macron është vënë në shënjestër të vetë BE-së për shkak të politikave të tij bllokuese për zgjerimin, ku i mbylli derën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa refuzoi liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Pas takimit trepalësh, Thaçi tha se qëllimi i tij ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, ndërsa theksoi nevojën për bashkëpunimin ndër-fqinjësor dhe të ardhmen evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.  Por vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha se nuk e kishte kursyer Thaçin. Media serbe “Blic” shkruan se Vuçiç tha në sy të Macron dhe Thaçit se edhe 10 shtete po presin për të hequr njohjen për Kosovën. Mesa duket edhe Sandri i Beogradit, e ka kuptuar se tani “ligjin” në Prishtinë e bëjnë të tjerë…/ RealStory



Skip to toolbar