“Ju bëni Gjykatën Kushtetuese, negociatat i kemi ne”

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, foli në një intervistë për Deutsche Welle, duke treguar se Gjermania është duke luftuar për të unifikuar qëndrimin e vendeve të BE-së, për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Për Gjermaninë është e qartë: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë integrale e Europës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian. Një pjesë e konsiderueshme e vendeve të BE, e mbështesin fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse kjo është edhe në interesin tonë strategjik. Por për këtë çështje na duhet unanimiteti brenda BE-së, dhe për të arritur këtë jemi duke punuar. Gjermania është duke luftuar me të gjitha forcat, për të arritur një qëndrim të përbashkët në BE, që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë shpejt”, u shpreh ai.

Më tej, shefi i diplomacisë gjermane, shprehet se në takimin e radhës të Këshillit Europian do të ketë një vendim. Sipas tij, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë reformat. “Forca e Bashkimit Europian ekziston në faktin se në fund ne gjithnjë gjejmë një zgjidhje, edhe kur temat janë të vështira. Unë jam i sigurt, se ne do ia dalim edhe kësaj herë. Presidenti Macron, ka shpjeguar se krah vazhdimit të reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, i domosdoshëm është edhe reformimi i procesit të zgjerimit në BE. Për këtë ne do të zhvillojmë javën e ardhshme bisedime intensive në BE.Por, njëkohësisht edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë pa ndalur procesin e reformave, në mënyrë që të arrijnë suksese të tjera”, shprehet ministri gjerman.  

Heiko Maas, duke inkurajuar vazhdimin e reformave në Shqipëri, shprehet se opozita gjithashtu është përgjegjëse në procesin e zhvillimit të vendit.  “Unë dua t’u jap zemër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si edhe vendeve të tjera të rajonit që të vazhdojnë me konseguencë kursin reformues edhe për një arsye tjetër: Reformat nuk shërbejnë vetëm për afrimin me BE, ato janë të rëndësishme sepse janë në dobi të njerëzve. Forcimi i shtetit të së drejtës, luftimi me vendosmëri i korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar janë detyrat kryesore të çdo qeverie, që do të ardhmen e vendit të vet. Edhe opozita mban përgjegjësi. Konkurenca politike dhe idetë konkuruese, që janë të zakonshme dhe të domosdoshme në demokraci nuk duhet ta paralizojnë zhvillimin e vendit”.

Gjermania mbetet e palëkundur në vendimin e saj për “Po” ndaj Shqipërisë, vendosur nga Bundestagu më 27 shtator. Heiko Maas thotë se Shqipëria është shembull në rajon për zbatimin e reformës në drejtësi, dhe tashmë të gjithë duhet të kontribuojnë që Gjykata Kushtetuese të fillojë pa u vonuar. “Vendimi ynë për të mbështetur bisedimet e pranimit me Shqipërinë ishte i drejtë. Ai u rekomandua edhe nga Komisioni i BE. Po ashtu është formuluar qartë çka priten ende nga hapat reformues që duhen hedhur. Reforma në fushën e drejtësisë, me të cilën Shqipëria po tregon një shembull të mirë në rajon është në rrugën e duhur. E rëndësishme është që tani të gjithë të kontribuojnë që Gjykata Kushtetuese të fillojë pa u vonuar punën”, shprehet ministri gjerman.

 Gkithashtu, ai kërkon që reforma zgjedhore, si një tjetër kusht i Bundestagut, duhet të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile. “Edhe reformimi i ligjit të zgjedhjeve do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile. Ne jemi të sigurt, se për reformat që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR mund arrihet marrëveshje pa humbur kohë. Parlamenti është vendi ku zhvillohen konfrontimet politike. Tani duhen propozime konstruktive dhe bashkëpunime serioze në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”.

Por a mund të veçohet Maqedonia e Veriut nga Shqipëria për negociatat? Ministri gjerman është i prerë në këtë pikë, të dyja vendet kanë përmbushur kushtet për fillimin e bisedimeve, dhe ky mbetet qëndrimi gjerman. “Në procesin e pranimit çdo vend gjykohet sipas punës që ka bërë. Duke pasur parasysh hapat e sukseshshëm refomues, Komisioni Europian vendosi që në vitin 2018 se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për fillimin e bisedimeve. Kështu që Komisioni dha rekomandimin që të fillonin bisedimet e pranimit me të dy vendet. Në maj të 2019, Komisioni përsëriti vlerësimet dhe rekomandimet. Qeveria gjrmane i dërgoi vlerësimet e veta Komisionit Europian dhe kërkoi në Këshill fillimin e bisedimeve të pranimit me të dy vendet. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë”, tha Maas.



Skip to toolbar